Llapi nuk ka fituar edhe pas ndeshjes së 11-të në elitën e futbollit të Kosovës. 

Të premten në ndeshjen hapëse të xhiros së 18-të të Superligës, barazoi pa gola me Dukagjinin. 

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. 

Ndeshja ishte e hapur dhe të dyja skuadrat kishin raste për shënim. 

Llapit madje në minutën e 92-të iu anulua një gol për pozitë jashtë loje. 

Ahmed Januzi shënoi nga afërsia për 1:0, por gjatë ndërtimit të aksionit, qendërmbrojtësi Landrit Rama, ishte më i avancuar se mbrojtësit kundërshtarë. 

Gjyqtari Burim Jahmurataj e anuloi golin pasi e rishikoi situatën në VAR. 

Llapi në 11 ndeshjet e fundit në Superligën e Kosovës i ka gjashtë humbje e pesë barazime. 

Një fitore e ka në Kupën e Kosovës më 4 dhjetor ndaj Flamurtarit, 5:0. 

Në Superligë nuk ka fituar prej 27 shtatorit, kur e kishte mposhtur Suharekën, 3:0. 

Dukagjini ndërkohë e regjistroi barazimin e tretë të edicionit. 

Me 21 pikë, Dukagjini pas 18 ndeshjeve ka 21 pikë në vendin e shtatë. 

Llapi ka 18 pikë në vendin e tetë, përkatësisht të barazhit. 

Në vendin e parafundit, të nëntin, është Ferizaj me 17 pikë, por me një ndeshje më pak të luajtur.