Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është zotuar se investimet në infrastrukturën sportive do të përfundojnë para organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Për t’u hapur rrugë investimeve dhe formimit të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare, duhet një vendim i Gjykatës Kushtetuese.

Ligjit për Lojërat Mesdhetare, i miratuar më 5 dhjetor në Kuvendin e Kosovës, është kontestuar në Kushtetuese nga Partia Demokratike.

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, beson se Ligji do ta kalojë lehtësisht testin e Kushtetueses, ndërsa zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, pret që shpallja e vendimit të mos vonohet.

Komiteti Olimpik i Kosovës pret që brenda muajit janar të vitit të ardhshëm të formohet Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, që vlerësohet i domosdoshëm për të garantuar vijueshmërinë e përgatitjeve dhe përmbushjen e përgjegjësive të Kosovës si organizatore e kësaj ngjarjeje.

Ministri Ceku iniston se një nga obligimet më të rëndësishme të fazës fillestare të Lojërave

Mesdhetare është ligji. Ai thekson se Kosova ka plotësuar afatin për miratimin e Ligjit për Lojërat Mesdhetare, që sipas tij ka qenë 14 dhjetori.

“Ne jemi të bindur se si procuderalisht ashtu përmbajtësisht ai Ligj e kalon lehtësisht testin e Kushtetueses dhe nuk kemi asnjë shqetësim në këtë drejtim, mirëpo ky veprim i tyre duhet të thuhet se është i turpshëm dhe tregon se këta njerëz për interesa të tyre të ngushta, janë në gjendje të sakrifikojnë edhe interesa shumë të rëndësishme shtetërore të vendit tonë”, ka thënë Çeku pas mbledhjes së Qeverisë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, thotë se Ligji do të jetë pezull derisa të merret vendim nga Gjykata Kushtetuese.

“Shpresoj që Gjykata Kushtetuese këtë ligj mos ta zhvlerësojë. Nuk i di argumentet juridike të ndërtimit të rastit nga ana e opozitës, por shpresoj që Gjykata Kushtetuese mos të vonohet siç është vonuar në disa ligje të tjera me muaj dhe vite të tëra”, ka theksuar Qorrolli.

KOHA nuk ka marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës, si bashkëorganizatore e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Ndërkohë, Komiteti Olimpik i Kosovës, thotë se i respektojnë procedurat institucionale dhe juridike të Kosovës. Por në KOK shtojnë se Kosova duhet të përmbush afatet që janë përcaktuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.

“Një nga prioritetet tona të menjëhershme është formimi i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një proces kyç që duhet të përfundojë brenda muajit janar të vitit të ardhshëm. Ky hap është i domosdoshëm për të garantuar vijueshmërinë e përgatitjeve dhe përmbushjen e përgjegjësive tona si organizatorë të kësaj ngjarjeje madhore ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e KOK-ut.

Më 8 shtator të vitit të kaluar, në Heraklion të Greqisë, u vendos që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë. Është kjo ngjarja dukshëm më e madhe sportive që do të organizohet në Kosovë. Punët në infrastrukturë dhe në fusha të tjera vlerësohet se do të jenë të mëdha që Prishtina e Kosova të jenë gati për të pritur mijëra sportistë nga shumë vende rreth Mesdheut.

Planifikohet të bëhen deri 200 milionë euro investime në infrastrukturë.