Humbja 2:1 në fundjavë nga Las Palmasi është pritur rëndë te Barcelona. Barça ka tri ndeshje pa fitore në La Liga dhe tashmë gara për kreun është plotësisht e hapur. Më 23 nëntor luajti 2:2 me Celta Vigon, ndërsa më 10 nëntor humbi 1:0 nga Real Sociedadi.
Pas xhiros së 15-të, Barcelona udhëheq në tabelë me 34 pikë. Një pikë më pak, por edhe një ndeshje më pak i ka Real Madridi.
Të martën mbrëma, prej orës 19:00, Barça do të ketë tjetër sfidë. Luan në udhëtim ndaj Mallorcas, në ndeshjen e xhiros së 19-të të La Ligas.
Për dallim nga Barcelona, Mallorca është në moment të mirë. Të premten fitoi 2:1 ndaj Valencias, ndonëse Vedat Muriqi ishte i suspenduar. Më 23 nëntor kishte fituar 3:2 ndaj Las Palmasit.
Cyle Larin starton në sulm ndaj Valencias për Mallorcan dhe realizoi gol. Larinin e zëvendësoi Abdon Prats, që po ashtu shënoi gol. Kështu Muriqi tashmë i ka dy konkurrentë të fortë për sulmin. Dhe forma e sulmuesve po e gëzon trajnerin Jagoba Arrasate.
Muriqi është në dispozicion për ndeshjen e së martës ndaj Barcelonës dhe me shumë mundësi do të startojë.
I pyetur për tre sulmuesit që ka në dispozicion, Arrasate ka theksuar se kjo nuk i paraqet problem.
“Kjo është ajo që e dëshiron trajneri. Më shumë se problem ata janë zgjidhje. Ata kanë besim dhe janë të uritur për të luajtur. Më duhet të marr vendim. Është e vërtetë që ka ndeshje rresht dhe që do të ketë mundësi për të gjithë. Por është problem i këndshëm që ata vijnë pas golave të shënuar që na kthehet Muriqi”, ka thënë Arrasate të hënën në konferencë për shtyp.
Ai nuk beson se Barça është në krizë.
“Pres që Barcelona të jetë në formën më të mirë. Është e vërtetë që ka fituar vetëm një pikë nga nëntë të mundshme në La Liga, ndonëse ka fituar në Champions javën e kaluar. Ajo që nuk ishte normale ishte starti i Barcelonës, duke i fituar të gjitha ndeshjet me lehtësi. Nuk është e pazakontë të kesh dy apo tri ndeshje pa fitore. Kthimi te suksesi është më urgjent për Barcelonën dhe për këtë pres të jetë në formën më të mirë”, ka shtuar Arrasate.
Mallorca është e gjashta me 24 pikë nga 15 ndeshje.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka thënë se skuadra duhet t’i përfundojë më mirë aksionet.
“Lajmi i mirë për mua është që nëntori përfundoi dhe jemi në dhjetor”, ka thënë Flick të hënën.
“Ekipi ka dhënë shumë në këto ndeshje. Në mesfushë kemi pasur intensitet dhe ishim të disiplinuar. Kemi krijuar shanse por duhet t’i përfundojmë ato më mirë. Mund të duket si arsyetim, por ne kemi humbur. Duhet të jemi të fokusuar në sulm. Nuk guxojmë të lejojmë t’i kemi dy apo tri shanse dhe mos t’i konkretizojmë. Në futboll vetëm golat numërohen”, ka shtuar tekniku gjerman.
Barcelona e nisi furishëm edicionin, por forma e këtij muaji ka brengosur tifozët e kësaj skuadre.
“Jemi ekip i ri dhe duhet të mësojmë e të luftojmë për fitore. Në mbrojtje duhet të mos lejojmë të pranojmë gola dhe për këtë duhet të mbrohemi si një trup. Në sulm po ashtu duhet të jemi të bashkuar. Duhet të shënojmë në shnaset që i kemi. Ne kemi topin dhe kemi shanset, por në fund është lufta për të fituar duelet. Ne duam të fitojmë ligën dhe për të bërë këtë të gjithë duhet të luftojnë”, ka shtuar Flick.