Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, publikoi një video të premten. Në të shihen Laura Fazliu e Erza Muminoviqi të rraskapitura, pas një stërvitjeje të gjatë, me ngarkesë maksimale dhe në lartësi të madhe mbidetare.
Stërvitjet e tilla vazhdojnë të bëjnë dallimin në sportin kosovar.
Xhudistët, përkatësisht nxënësit e kryemjeshtrit Kuka, vazhdojnë të jenë shumë të suksesshëm. Ka kohë që pjesa tjetër e sportistëve të vendit nuk mund ta ndjekin ritmin e tyre. Kjo sa shkon e theksohet.
Nëse llogaritet xhudoja, viti 2024 ishte shumë i suksesshëm për Kosovën. Kosova fitoi medalje në ngjarjen kryesore të vitit – Lojërat Olimpike të mbajtura në Paris.
Laura Fazliu
Distria Krasniqi fitoi medalje të argjendtë olimpike në kategorinë deri 52 kilogramë. Laura Fazliu fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 63 kilogramë. Laura, medalje të bronztë fitoi edhe në Kampionatin Botëror të xhudos.
Distria fitoi medalje të artë në Kampionatin Evropian të xhudos.
Akil Gjakova ishte i pesti në Lojërat Olimpike, ndërsa Erza Muminoviq fitoi medalje bronzi në Evropianin U23, që ka vlerë dukshëm më të vogël se Evropiani i të rriturve.
Në garat tjera të xhudos, ato të nivelit Grand Slam e Grand Prix, numri i medaljeve të Kosovës gjatë vitit 2024 është dukshëm më i madh.
Janë garat si Kampionatet Botërore dhe Kampionatet Evropiane, e natyrisht edhe Lojërat Olimpike, që dallojnë xhudon nga sportet tjera.
Në sportet tjera nuk është fituar asnjë medalje botërore apo evropiane. Për herë të parë pas shumë vjetësh, as në kategori të reja.
“Jam shumë e kënaqur me këtë vit. Kam arritur të bëhem kampione e Evropës. Në Kampionat Botëror nuk kam marrë pjesë. Në Lojërat Olimpike kam marrë përsëri medalje, kështu që gjithçka ka shkuar mirë, ashtu siç e kemi menduar. Jam shumë e lumtur. Shpresoj që edhe vitet tjera do t’i kem si ky “, ka thënë Distria Krasniqi për KOHËN.
“Medalje në Kampionat Botëror, pastaj medalje në Olimpiadë. Vërtet ka qenë për mua një vit i suksesshëm. Shpresoj shumë se do të vazhdojë me suksese të reja”, thotë Laura Fazliu.
Pa xhudon, viti 2024 ishte i zbehtë për Kosovën. Pos që nuk u fituan medalje në sportet individuale, kishte fare pak suksese edhe në sportet ekipore. Natyrisht, nëse për bazë merren vetëm garat serioze ndërkombëtare.
Përfaqësuesja A e Kosovës në futboll nuk realizoi synimet, duke mbetur prapa Rumanisë në Ligën C të Ligës së Kombeve. Synim ishte vendi i parë.
Për dallim nga dy vitet paraprake, Ballkani nuk arriti në fazën kryesore të Ligës së Konferencës. U ndal në raundin e tretë kualifikues të garës së tretë evropiane për nga niveli. Drita shkoi një hap tutje, në plejof, por pa arritur në fazën e ligës. Skuadrat tjera të futbollit nuk lanë gjurmë në kupa evropiane, ndërsa paraqitje solide kishte 2 Korriku në garën evropiane për ekipet e të rinjve, U19.
Në basketboll, Kosova u paraqit në rundin e parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Fitoi ndaj Irlandës e më pas humbi nga Azerbajxhani, Zvicra e Irlanda. Rrjedhimisht është e fundit në grup, dy xhiro para fundit.
Përfaqësueset e grupmoshave në basketboll kanë vazhduar me paraqitje në Evropianët e Divizionit B e C, pa ndonjë lëvizje para.
Në nivel klubesh, Trepça e kaloi kundërshtarin e parë në kualifikimet e Championsit. U ndal në pengesën e dytë dhe vazhdoi në FIBA Europe Cup, ku i humbi të gjitha ndeshjet. Peja i humbi dy ndeshjet në raundin e parë kualifikues të FIBA Europe Cup.
Në hendboll, Kosova i fitoi dy ndeshje me Britaninë e Madhe në raundin promovues të kualifikimeve për Euro 2026. Kaloi në kualifikimet e rregullta ku humbi 32:21 nga Ishujt Faroe dhe barazoi 33:33 me favoriten e grupit, Holandën.
Përfaqësuesja A e hendbollisteve fitoi ndaj Belgjikës dhe Bosnjë-Hercegovinës në raundin e parë kualifikues për Kupën e Botës 2025. U kualifikua në fazën e dytë dhe të fundit kualifikuese, ku do të përballet me Suedinë.
Në kategoritë e reja, përfaqësuesja U18 e hendbollisteve u kualifikua në Botëror përmes IHF Trophy, që është garë për zhvillim. Në Botërorin në Kinë hendbollistet e reja i shënuan tri fitore dhe i humbën katër ndeshje, disa prej tyre me rezultat të thellë. Kosova përfundoi e 23-ta prej 32 përfaqësueseve.
Hendbollistët e Kosovës U18 fituan një Evropian të Divizionit B në Prishtinë, ku konkurrenca ishte e zbehtë. Por pa u promovuar në Divizionin A.
Klubet e hendbollit kanë vazhduar me paraqitje evropiane, pa bërë hap tutje. Katër prej klubeve u ndalën në pengesat e para, kurse ekipet kampione, Rahoveci e Istogu, e kaluan nga një kundërshtar në Kupën Evropiane, që është niveli i tretë.
Në volejboll kishte pjesëmarrje në gara evropiane, por jo ndonjë sukses.
Kështu u kompletua edhe një vit ku përgjegjësi për mossukses nuk kërkoi dhe nuk dha askush, ndërsa meritat për sukses, sidomos të xhudos, u munduan t’i marrin të gjithë.