Katër gola të tjerë i ka pranuar portieri i Kosovës në elitën e futbollit anglez, ndërsa e ka pësuar një tjetër humbje me Ipswichin. Ipswichi të shtunën u mposht 4:0 në shtëpi nga Newcastle United, në ndeshjen e xhiros së 17-të të Premier Leagues.
Sulmuesi i Suedisë, Aleksander Isak, shënoi “hat-trick” për mysafirët, ndërsa një tjetër gol e realizoi Jacob Murphy. Isak, që ndaj Kosovës do të luajë me Suedinë më 8 shtator në Prishtinë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026, shënoi në minutën e parë.
Më pas Murphy në minutën e 32-të me gol të bukur e dyfishoi epërsinë. Muriq në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë nuk e largoi topin dhe vendosi të pasojë për Jens Cajusten. Nga kjo situatë përfituan mysafirët, ndërsa Isak shënoi për 3:0. Tregolëshin ai e kompletoi në minutën e 54-t.
Tjetër gol iu anulua Newcastlet në minutën e 93-të për pozitë jashtë loje. Ipswichi i Muriqit po lufton për mbijetesë. Pas 17 ndeshjeve ka 12 pikë.
Newcastle ka 26 pikë dhe po lufton për të zënë vend në garat evropiane.