Kapiteni i Bayern Munichut, Manuel Neuer, është dënuar me dy ndeshje moslojë në Kupën e Gjermanisë, për shkak të “sjelljes josportive” të martën mbrëma në ndeshjen ndaj Bayer Leverkusenit. 

Kështu ka njoftuar Federata e Futbollit e Gjermanisë të enjten. 

Portieri 38-vjeçar u ndëshkua me kartonin e parë të kuq në karrierën prej afro dy dekadave. 

Ai doli jashtë zonës dhe e rrëzoi në tokë Jeremie Frimpongun. 

Neueri më pas u përjashtua direkt me të kuq nga gjyqtari Harm Osmers, në minutën e 17-të. 

Bayerni në fund u mposht 1:0 nga Leverkuseni dhe u eliminua. 

Ky suspendim vlen vetëm në Kupën e Gjermanisë dhe me eliminimin e bavarezëve, Neuer nuk do të paraqitet në këtë garë deri në edicionin tjetër. 

Kontrata e Neuerit skadon në fundin e këtij edicioni. 

Në rast se nuk e vazhdon kontratën, pensionohet, apo largohet nga futbolli gjerman, Neueri nuk do ta vuajë këtë dënim.