Manchester United ka pësuar humbje me rezultat 3-2 në shtëpi ndaj Nottingham Forestit në kuadër të javës së 15-të në elitën e futbollit anglez.

Mysafirët kaluan në avantazh që në minutën e dytë përmes Nikola Milenkovic i cili realizoi me kokë për rezultatin 1-0.

Unitedi reagoi tek në minutën e 18-të duke arritur që të barazojnë shifrat në 1-1 përmes danezit Rasmus Hojlund.

Jota Silva i mysafirëve ishte shumë pranë golit të dytë në këtë takim për Nottinghamin kur në minutën e 28-të me kokë goditi shtyllën.

Në pjesën e dytë Nottinghami shënoi dy gola të shpejtë për të rikthyer sërish epërsinë në favorin e tyre.

Morgan Gibbs-White fillimisht shënoi në minutën e 47-të për 2-1, teksa Chris Wood realizoi në minutën e 54-të me kokë për 3-1.

‘Djajtë e Kuq’ u rikthyen sërish në lojë pas golit të Bruno Fernandes në minutën e 61-të për 3-2, por nuk patën fuqi që ta evitojnë humbjen.

Kështu, Manchester United pësoi humbjen e dytë radhazi nën urdhrat e Ruben Amorim pas asaj ndaj Arsenalit vikendin e kaluar.