Ishte një pasdite jo e këndshme kjo e së shtunës për Barcelonën, pasi atyre iu mohua fitorja e dytë radhazi në kampionat nga Real Betisi, ndeshje që përfundoi baras 2-2.
Ky rezultat do të thotë që Real Madridi mund ta ngushtojë diferencën në tabelë në vetëm dy pikë në rast se mposhtin Gironan gjatë mbrëmjes.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ia la fajin për këtë barazim mungesës së eksperiencës teksa foli edhe për përjashtimin e tij nga gjyqtari.
“Unë jam shumë i zhgënjyer me atë që ndodhi në fushë. Kjo ishte një ndeshje që duhej ta fitonim. Ne kemi një ekip shumë të ri dhe duhet të përmirësohemi shumë. Ne duhet të jemi më të fortë për ndeshjet si mysafir”.
Flick u përjashtua nga ndeshja vetëm pak çaste pasi Betis shënoi golin e parë, që erdhi nga penalltia. Ai nuk mund ta besonte se ishte përjashtuar nga stoli shkaku i këtij incidenti.
“Nuk e kuptoj kartonin tim të kuq. Nuk i kam thënë asgjë askujt. Kisha një reagim, diçka që i thashë vetes sime. Kjo nuk më ka ndodhur asnjëherë më parë”, përfundoi tekniku gjerman.
Barcelona tani do të fokusohet në Ligën e Kampionëve, aty ku të mërkurën do të luajnë në udhëtim ndaj Borussia Dortmundit.