Kapiteni i përfaqësueses helvetike dhe ylli i Leverkusenit, Granit Xhaka, po i mbush bateritë në Zvicër. Ajo që shihet në fotografinë familjare në Graubunden, është se 32-vjeçari ka flokë të reja në kokë

Granit Xhaka po i shijon pushimet e merituara. 32-vjeçari ndeshjen e ardhshme dhe shumë të fortë e ka më 10 janar, në udhëtim te Dortmundi. Ndeshja që do të zhvillohet në “Signal Iduna Park” i takon xhiros së 16-të të elitës së futbollit gjerman. Në 15 ndeshjet e para, Leverkuseni është i dyti në tabelë me 32 pikë, katër më pak se Bayern Munichu lider.

Kapiteni i Përfaqësueses së Zvicrës nuk po i kalon pushimet diku në temperatura të larta dhe afër detit, por po relaksohet në shtëpi, shkruan të shtunën gazeta e madhe zvicerane “Blick”. Bashkë me gruan, Leonitën, dhe dy vajzat, ata po e shijojnë pamjen në Graubunden.

“Familja është koha më e mirë”, ka shkruar Xhaka në fotografinë e postuar në llogarinë e tij personale në Instagram.

Do të jetë pushimi i fundit dimëror për familjen Xhaka me katër anëtarë. Graniti dhe gruaja e tij, Leonita, kanë njoftuar muajin e kaluar se janë në pritje të fëmijës së tretë.

Viti i ri me flokë të reja për liderin e përfaqësueses

Nëse e shihni nga afër fotografinë e postuar nga Xhaka, do të vëreni edhe diçka tjetër. Granit Xhaka e ka përdorur pushimin nga futbolli për transplantimin e flokëve. Në fotografi shihet mesfushori me flokët e prera shkurt, por me vijë të re në kokë.

Pjesa e parë e kampionatit në Bundesligë për Leverkusenin përfundoi më 21 dhjetor. Leverkuseni fitoi ndaj Freiburgut 5:1. Xhaka kishte luajtur në tërë ndeshjen.

Granit Xhaka bëhet futbollisti i radhës profesionist që bën transplantim të flokëve. Yjet e futbollit si 32-vjeçari Mohamed Salah i Liverpoolit, 32-vjeçari i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen dhe ish-trajneri i Liverpoolit, 57-vjeçari Jurgen Klopp, këtë gjë e kishin bërë më herët.

“Le të shpresojmë që flokët e reja të shërbejnë si ogur i mirë për vitin e ri futbollistik për Granit Xhakën. Për të luftuar për një tjetër titull kampioni në Gjermani me Leverkusenin, dhe ta sigurojë biletën për në Kupën e Botës me Përfaqësuesen e Zvicrës, nga kualifikimet që nisin në vjeshtën e vitit 2025”, ka shkruar Blick.

Zvicra në kualifikimet për Kampionatin Botëror është në grup me Kosovën.

Në Grupin B janë edhe Suedia dhe Sllovenia.

Xhaka ka pasur edicion të suksesshëm deri tani. Të premten në mbrëmje, faqja zyrtare e Bundesligës e ka përfshirë atë dhe 11 futbollistë të tjerë, në garën për shënimin e golit më të mirë të vitit 2024.

Në nominim është përzgjedhur goli i shënuar nga distanca ndaj Borussia Monchengladbachut.