Peja e ka ndërprerë të shtunën serinë pozitive të rezultateve prej tetë fitoreve të Trepçës, në ndeshjen derbi që u vendos në sekondat e fundit. 

Pejanët fituan me një pikë dallim në palestrën “Karagaçi”, 65:64, në ndeshjen e parafundit për këtë vit në elitën e basketbollit kosovar. 

“Verdhezinjtë” shkëlqyen në pjesën e parë duke i fituar dy çerekët e parë 27:17 dhe 17:14, për të shkuar në pushim me 13 pikë dallim, 44:31. 

Por “xehetarët” shfaqën më shumë në çerekun e tretë, të cilin e fituan 23:10. Dhjetë minutat e fundit nisën me rezultat të barabartë, 54:54. 

Pejanët nuk arritën të shkëputeshin më shumë se katër pikë. 
1 minutë para përfundimit të ndeshjes, rezultati ishte 64:63. 

Për shkak të një lëndimi, në lojë u fut Drilon Hajrizi, i cili realizoi një pikë nga gjuajtja e lirë për barazimin e rezultatit.  Samuel Hunter i mysafirëve shkaktoi faull në Jonathan Galloëayn, i cili e shënoi vetëm një pikë nga gjuajtja e lirë për 65:64. 

Ky rezultat nuk ndryshoi deri në fund. 

Hajrizi i Trepçës, Amin Hot i Pejës dhe Malik Johnson i mysafirëve, nuk arritën të shënonin nga gjuajtjet që i patën dhe ndeshja u mbyll me fitoren e Pejës.  Pati festë të madhe nga vendësit pas përfundimit të ndeshjes. 

Ishte edhe fitorja e parë e Pejës me trajnerin e ri, sllovenin Sebastjan Krasovec. 
Arti Hajdari, Galloëay dhe Hot ishin më të dalluarit në fitoren e Pejës. 

Kapiteni Hajdari kishte 11 pikë, 9 kërcime e 2 asistime. Hot ndeshjen e mbylli me 13 pikë, shtatë kërcime e nëntë asistime, kurse Galloëay i kishte tetë pikë, 11 kërcime e dy asistime. 

Trepçës nuk i ndihmuan 15 pikët e gjashtë kërcimet e Kapitit. 

Kampionia në fuqi, Trepça, pavarësisht humbjes mbetet në vendin e parë me 23 pikë, me dhjetë fitore e tri disfata. 

Peja ka 20 pikë, me shtatë fitore e gjashtë humbje.