Kur bëhet fjalë për sukses, Arb Manaj thotë se preferon suksesin e përbashkët para atij individual. Manaj dëshiron ta ndihmojë Dritën e Gjilanit ta fitojë titullin e kampionit të Superligës së Kosovës në futboll.
Drita e fitoi për herë të fundit titullin e kampionit në edicionin 2019/2020.
Stinorin vjeshtor të edicionit aktual të Superligës, skuadra gjilanase e mbylli në vendin e parë me 40 pikë, shtatë më shumë se kampioni i tri edicioneve të fundit, Ballkani. Manaj festoi me Ballkanin titullin, ndërsa synon ta bëj një gjë të tillë edhe me Dritën. Për Ballkanin luajti pak, ndërsa te Drita është prej lojtarëve të rëndësishëm në sulm.
Dha kontribut me gjashtë gola e pesë asistime, ndërsa synon të shënojë të tjerë gola në pranverë.
“Jam i kënaqur me paraqitjet, por gjithmonë ka vend për përmirësim. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe ta ndihmoj edhe më shumë skuadrën. Po shpresoj të shënoj edhe më shumë, por të arriturat personale janë gjithmonë sekondare”, ka thënë Manaj të hënën për KOHËN.
Ai insiston se primare është titulli i kampionit.
“Synimi kryesor është titulli kampion. Pranvera do të ketë ndeshje edhe më të vështira, por unë besoj që do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm edhe në pranverë”, është shprehur Manaj.
Sulmuesi 26-vjeçar nga Klina iu bashkua Dritës në janar nga kampioni Ballkani. Por Manaj nuk pati drejtë të paraqitet për Dritën, pasi në bazë të rregullores ai nuk kishte të drejtë të luajë në tri klube të ndryshme brenda një edicioni.
Para se të paraqitej për Ballkanin, Manaj luajti për Slaven Belupon e Kroacisë.
Manaj u kthye gjatë verës te Drita pas huazimit gjashtëmujor te skuadra elitare e Kazakistait, Zhenis.
Ai thotë se paraqitja në Kazakistan e ndihmoi shumë.
“Periudha në Kazakistan më ndihmoi shumë, sepse i kam luajtur të gjitha ndeshjet dhe isha në formë të mirë fizike. Pas rikthimit, shokët e skuadrës dhe gjithë stafi më pritën shumë mirë. Nga fillimi ka mbizotëruar një atmosferë shumë e mirë te Drita”, ka deklaruar Manaj.
Manaj karrierën e nisi te skuadra e Dukagjinit të Klinës. Më pas pati paraqitje të mira edhe te skuadra e Trepçës ‘89. Luajti për Ankaran në Turqi. Në Turqi u paraqit edhe për skuadrat Balikeshirspor dhe Bandirmaspori.
Ai thotë se gjithë fokusin e ka te Drita.
“Këtë edicion shpresoj t’i arrij synimet që i kemi me klubin. Jam i fokusuar 100 % te klubi dhe nuk mendoj aspak për të ardhmen”, ka thënë Manaj.
Manaj ka luajtur për Shpresat e Kosovës para se t’i zhvilloj tri ndeshje miqësore për ekipin A të “Dardanëve”. Në tri ndeshje ka shënuar një gol. Golin e vetëm për Kosovën e ka shënuar në miqësoren ndaj Guinesë në vitin 2021.