Futbollisti i Kosovës, Milot Rashica, që aktualisht është futbollist i Beshiktashit, mund të transferohet në afatin kalimtar dimëror te skuadra e Trabzonsporit.
Rashica, i cili ishte në kamp për duelin ndaj Bodo/Glimtit në javën e kaluar kur skuadra turke u mposht 2:1, nuk u fut në listën e lojtarëve të gatshëm për lojë për shkak të një lëndimi muskulor.
Pas këtyre zhvillimeve, flitet se sulmuesi i krahut mund të largohet nga Beshiktashi në mesin e edicionit.
Mediat në Turqi kanë shkruar se Rashicën e dëshiron në skuadër drejtori teknik i Trabzonsporit, Shenol Gunesh.
Me Beshiktashin në edicionin aktual në të gjitha garat, 28-vjeçari e ka një gol të shënuar e pesë asistime.
Ai u transferua në verën e vitit të kaluar nga Norwichi për 5.25 milionë euro.