Në verën e vitit të kaluar klubi i Bundesligës gjermane, Hoffenheim, ndau plot 14 milionë euro për ta transferuar sulmuesin Mërgim Berisha. Për një ekip si Hoffenheimi, 14 milionë janë shifër goxha e lartë. Prej Berishës, që është nga Kosova, priteshin gola e kontribut i çmuar në repartin ofanziv.

Por Hoffenheimi mori pak nga ajo që synonte. Dhe klubi gjerman tani po e shqyrton opsionin për të ndarë rrugët me 26-vjeçarin.

Këtë edicion Berisha ka një gol e një asistim në 11 paraqitje në kampionatin gjerman. Më shumë se për kontributin në fushë, për Berishën u raportua për telashet që i kishte në ekip.

Në fillim të tetorit ai u la jashtë ekipit pasi kishte reaguar ashpër pas një vendimi të trajnerit për ta zëvendësuar. U kthye në ekip vetëm në fund të atij muaji, por prej atëherë nuk ka shënuar gol e nuk ka asistuar. Pas telasheve, Berisha i kishte gjashtë paraqitje kampionale, të gjitha si zëvendësues. Në dy ndeshje të tjera qëndroi në stol.

Golin e kishte shënuar më 14 shtator, në humbjen 4:1 nga Bayer Leverkuseni. Asistimin e kishte bërë më 29 shtator, në humbjen 4:3 nga Werder Bremeni.

Pikërisht në atë ndeshje ishte zëvendësuar në minutën e 27-të. Zëvendësimi i tij ishte taktik, pasi Hoffenheimi mbeti me një lojtar më pak në fushë që në minutën e 18-të.

Ndonëse e pagoi shtrenjtë, Hoffenheimi mund të heqë dorë nga Berisha që në afatin kalimtar të janarit. Ai ka kontratë deri në verën e vitit 2027.

Është mediumi i fuqishëm gjerman, Kicker, që ka shkruar për largimin e mundshëm të Berishës që në fillim të vitit të ardhshëm.

“A do të largohet Mërgim Berisha nga Hoffenheimi në dimër? Sipas informacioneve të ‘Kicker’, 26-vjeçari, i cili dikur ishte jashtëzakonisht i shtrenjtë me një transferim prej 14 milionë eurosh, është kandidati me gjasat më të mëdha për largim. Për shkak të këputjes së ligamentit të kryqëzuar dhe përplasjes me ish-trajnerin Pellegrino Matarazzo, Berisha ende nuk ka gjetur formën”, ka shkruar Kicker të hënën.

Në fillim të edicionit 2023/2024, Berisha i kishte tetë ndeshje për Hoffenheimin në Bundesligë. Ishte lënduar më 4 nëntor të vitit 2023 në ndeshjen ndaj Bayer Leverkusenit dhe mungoi në pjesën tjetër të edicionit të kaluar. Është kthyer në muajin gusht, por pa u shquar deri më tani.

Ndonëse i vlerësuar me potencial të madh, Berisha ende nuk po shfaq atë që pritet prej tij.

Është zhvilluar te Salzburgu në Austri, ndërsa kishte periudha te Lieferingu, LASK-u, Magdeburgu e Altachu. Në shtator të vitit 2021 u transferua te Fenerbahçe në Turqi. Kishte më pas huazim tek Augsburgu në Gjermani. Augsburgu e transferoi plotësisht në fillim të korrikut të vitit 2023 e në 30 gusht 2023 e shiti te Hoffenheimi.

Tek Augsburgu kishte periudhën më të mirë në karrierë, duke shënuar nëntë gola në 26 paraqitje.

Në Bundesligë i ka dhjetë gola në 42 paraqitje. Në kampionatin austriak i ka 35 gola në 88 paraqitje. Në Superligën turke i shënoi pesë gola në 23 ndeshje.

Berisha ka 13 paraqitje e një gol me Gjermaninë U21. Madje i ka dy paraqitje me Gjermaninë A. Në mars të vitit 2023 kishte luajtur në miqësoret ndaj Perusë e Belgjikës. Por nuk është ftuar më.

Kosova për kohë të gjatë ka shprehur interesim Berishën, por që nuk i është përgjigjur njëjtë interesimit “dardan”. E ka pritur Gjermaninë. Me formën aktuale, Gjermania mbetet “ëndërr e largët” për sulmuesin.