Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në verën e vitit të ardhshëm do të zhvillohet turneu më i madh në nivel klubesh, ai i Kupës së Botës për Klube.
Shorti do të tërhiqet të enjten në mesditë në Miami të SHBA-së.
Klube si Real Madridi e Manchester City, por edhe Inter Miami i Lionel Messit, kampioni i Amerikës së Jugut, Botafogo, e klube të njohura nga Azia, Afrika e Oqeania, do të jenë në mesin e skuadrave që do të luftojnë për trofeun e çmuar.
Në total do të jenë 32 skuadra, të ndara në grupe.
Turneu i Kupës së Botës për Klube është mbajtur në dhjetor, por ai i vitit të ardhshëm do të organizohet në 11 qytetet të ndryshme të SHBA-së, nga 15 qershori deri më 13 korrik.
Më herët kanë marrë pjesë nga shtatë skuadra, dhe do të organizohet çdo katër vjetë, njësoj si Kupa e Botës për shtet.
Në total do të jenë tetë grupe me nga katër skuadra, ndërsa dy të parat e secilit grup do të avancojnë në 1/8 e finales.
Ekipe me emër nga Evropa që do të jenë pjesëmarrëse janë edhe Bayern Munichu, Interi e Paris Saint-Germaini, ndërsa mungojnë Liverpooli, Barcelona, Napoli e Sportingu.
Në total do të luhen 63 ndeshje, ndërsa finalja do të zhvillohet në “MetLife Stadium”.
Ekipet pjesëmarrëse në Kupën e Botës për Klube:
Al Ahly, Wydad, ES Tunis, Mamelodi Sundowns, Al Hilal, Urawa Red Diamonds, Al Ain, Ulsan HD FC, Chelsea, Real Madrid, Manchester City, Bayern Munich, Paris Saint-Germain, Inter, Porto, Benfica, Borussia Dortmund, Juventus, Atletico Madrid, Salzburg, Monterrey, Seattle Sounders, Club Leon, Pachuca, Auckland City, Palmeiras, Flamengo, Fluminense, Botafogo, River Plate, Boca Juniors, Inter Miami.