Qendërmbrojtësi i Prishtinës, Leonat Vitija, shënoi për 2:1 ndaj Gjilanit, në minutën e 81-të.
Kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit, mesfushori i Gjilanit, Kushtrim Shabani, shënoi për 2:2 në minutën e katërt të kohës shtesë.
Kështu, ndeshja derbi e xhiros së 16-të e elitës së futbollit kosovar, që u zhvillua të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nuk dha fitues.
Për Prishtinën ishte barazimi i parë pas dy fitoreve të njëpasnjëshme, në Superligë e në Kupë, ndaj Dukagjinit e Top Futbollit.
Për Gjilanin ishte barazimi i parë pas tri ndeshjeve.
Gjilani kishte fituar ndaj Feronikelit 74, u mposht nga Malisheva, ndërsa në Kupë e mposhti Lirinë e Prizrenit.
Prishtina mbetet me 26 pikë në vendin e katërt, ndërsa Gjilani ka 18 pikë në vendin e gjashtë, një më shumë se Llapi që e ka një ndeshje më pak të luajtur, e një më shumë se Dukagjini i vendit të tetë.
Sulmuesi shtatlartë, Senad Jaroviq, e kaloi në epërsi Gjilanin në minutën e 28-të, para se shifrat t’i barazonte Leotrim Kryeziu, në minutën e 37-të nga penalltia.
Në pjesën e dytë të dyja ekipet patën disa raste për shënim.
Prishtina iu afrua fitores me shënimin e Vitijës, por Shabani ia siguroi një pikë gjilanasve me golin e minutave shtesë.