Të martën kundër Karvinas, sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, luajti ndoshta ndeshjen e tij më të mirë për Sparta Pragën. Sulmuesi 24-vjeçar jo vetëm që shënoi gol, por la përshtypje edhe për mënyrën e ruajtjes dhe pasimit të topit.

Rrahmani nuk ka folur për paraqitjen e tij. Por ai mori lëvdata nga mesfushori i skuadrës çeke, Lukash Sadilek.

“Më duhet ta lavdëroj Albionin se si ka punuar bashkë me Ermal Krasniqin. E keni parë si e kemi dominuar ndeshjen ndaj Karvinës, të gjithë e shijuam. Ne dominuam dhe merituam pikët e plota”, ka thënë mesfushori Sadilek, shkruan “Sport” të enjten.

Rrahmani u vlerësua prej më të mirëve në fushë deri në minutën e 60-të kur u zëvendësua.

Por trajneri Lars Friis ka treguar pas ndeshjes kundër Karvinas se ku janë dobësitë e Rrahmanit.

“Ne duam të luajmë me intensitet dhe nëse një lojtar nuk është mësuar me këtë, atij i duhet kohë. Dikush mbrohej më shumë në bllok, por ne kemi nevojë për më shumë presion dhe sulme. E kam fjalën jo vetëm për Rrahmanin, por edhe për Haraslinin, Birmançeviqin apo Krasniqin. Ne kërkojmë shumë”, deklaroi trajneri danez.

Rrahmani iu bashkua Spartës në gusht nga skuadra e Rapid Bukureshtit. Sparta e bleu për 5 milionë euro sulmuesin e Kosovës, që ishte rekord për klubin çek.

Por trajneri danez i Spartës insiston se Rrahmanit i duhet ende kohë.

“Ne kemi nevojë që ritmi të ndryshojë në mënyrë që ata të japin gjithçka në fushë për Spartën. Të vazhdojnë në çdo gjendje, edhe kur janë të lodhur. Ky është mentaliteti që ne po përpiqemi të fusim te lojtarët. Por duhet pak kohë për Albionin. Ka nevojë për më shumë ndeshje”, shtoi ai.

Rrahmani pati shënuar edhe në debutimin e tij për ekipin çek, që pati siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Por më pas pati një krizë, ashtu si edhe e gjithë skuadra çeke.

Sparta është e treta me 31 pikë, ndërsa ka një ndeshje më shumë se skuadrat e tjera. Slavia Praga udhëheq me 44 pikë. Plzeni është i dyti me 36 pikë.