Norvegjia e ka vazhduar dominimin e madh në hendbollin evropian.
Të dielën hendbollistet e Norvegjisë e kanë siguruar titullin e dhjetë të Evropës.
Në Vjenë, në praninë e 8775 shikuesve, Norvegjia fitoi në finale të “Euro 2024” ndaj Danimarkës me rezultatin 31:23. Pas pjesës së parë norvegjezet ishin në epërsi prej një goli, 13:12. Por në pjesën e dytë ato dominuan plotësisht duke krijuar epërsi bindëse. Në fund fituan me tetë gola dallim.
Henny Reistad udhëhoqi Norvegjinë me tetë gola. Ajo u shpall më e mira e ndeshjes.
Për Danimarkën nga pesë gola i shënuan Anne Hansen dhe Mie Hojlund.
Evropiani i hendbollisteve zhvillohet nga viti 1994. Dy kampionatet e para kontinentale i ka fituar Danimarka. Më pas ka nisur dominimi i Norvegjisë.
Pos Norvegjisë e Danimarkës tituj kanë edhe Hungaria në vitin 2000, Mali i Zi në vitin 2012 dhe Franca në vitin 2018.
Norvegjia tani i ka dhjetë tituj, duke përfshirë tre të fundit. Danimarka ka tre tituj të Evropës dhe katër humbje në finale.
Për vend të tretë të dielën u përballën Hungaria e Franca. Fitore me rezultat 25:24 shënoi Hungaria. Vendin e pestë e zuri Suedia, që fitoi 33:32 ndaj Holandës.
Anna Kristensen e Danimarkës u shpall lojtarja më e mirë e Evropianit. Ajo u shpall edhe portierja më e mirë. I kishte 100 pritje gjithsej. Ndali 38 për qind të gjuajtjeve që shkuan në drejtim të portës së saj.
Katrin Klujber e Hungarisë është golashënuesja më e mirë e Evropianit me 60 gola.
Në ekipin më të mirë të Evropianit kanë zënë vend edhe Emma Friis e Danimarkës, Tjasha Stanko e Sllovenisë, Henny Reistad e Norvegjisë, Katrin Klujber e Hungarisë, Viktoria Gyori-Lukacs e Hungarisë dhe Tatjana Brnoviq e Malit të Zi.
Lojtarja më e mirë e mbrojtjes u shpall Pauletta Foppa e Francës, ndërsa Petra Simon e Hungarisë u shpall lojtarja më e mirë e re.