Dy gola të shënuar nga sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, kanë bërë që Elversbergu të dielën ta fitojë ndeshjen e xhiros së 16-të të Bundesliga 2, dhe të dalë në vendin e parë.
Me dy golat e Asllanit dhe një të Maurice Neubauerit, Elversbergu fitoi në udhëtim te Braunschweigu, 3:0. 22-vjeçari Asllani fillimisht realizoi në minutën e 62-të.
Ai e nisi vet aksionin dhe më pas shfrytëzoi hutinë në mbrojtjen vendëse për 1:0. Golin e dytë që e shënoi në minutën e 79-të, ishte edhe më i bukur.
Ai e kaloi një kundërshtar, më pas edhe portierin, për ta dërguar topin në portën e zbrazët.
Tani ka 10 gola e pesë asistime në kategorinë e dytë të futbollit gjerman. Golin e tretë mysafirët e shënuan në minutën e parë të kohës shtesë.
Elversbergu, Kolni dhe Paderborni kanë nga 28 pikë pas 16 ndeshjeve, por skuadra e Asllanit e ka goldallimin më të mirë.