Chelsea pësoi një humbje dramatike ndaj Fulham-it në një ndeshje që mbajti tifozët në ankth deri në minutën e fundit. Takimi, i zhvilluar në kuadër të kampionatit anglez, përfundoi me rezultatin 1-2 në favor të Fulham-it, duke i dhënë skuadrës vizitore një fitore të rëndësishme.

Ndeshja nisi mirë për Chelsea-n, e cila kaloi në avantazh që në minutën e 16-të falë një goli të realizuar nga Cole Palmer, pas një asisti të bukur nga Levi Colwill. Megjithatë, pavarësisht dominimit në pjesën e parë, skuadra londineze nuk arriti ta ruajë epërsinë.

Fulham barazoi rezultatin në minutën e 82-të, me një goditje të saktë nga Harry Wilson, i asistuar nga Timothy Castagne. Ky moment i riktheu shpresat skuadrës mike, e cila vazhdoi të sulmojë dhe arriti të përmbyste rezultatin në minutën e 90+5’, kur Rodrigo Muniz shënoi golin vendimtar pas një pasimi nga Sasa Lukic.

Chelsea tentoi deri në sekondat e fundit për të gjetur golin e barazimit, por mbrojtja e Fulham-it rezistoi duke marrë tre pikë të çmuara. Humbja lë Chelsea-n në një pozicion të vështirë, ndërsa Fulham-i forcon pozitat e saj në renditje.