Deri të martën mbrëma, Interi nuk kishte humbje në Champions e madje as gol të pranuar. Bayer Leverkuseni me Granit Xhakën e shkëlqyer në mesfushë, dominoi ndaj skuadrës italiane. Dhe më në fund, në minutën e 90-të, e shënoi golin e fitores 1:0. Leverkuseni tani i ka 13 pikë nga gjashtë ndeshje në Champions, sa i ka edhe Interi. Të dy skuadrat janë në pozitë të mirë për të siguruar kualifikimin direkt në një të tetën e finales në Ligën e Kampionëve.

Xhaka e kompletoi ndeshjen e së martës ndaj Interit, që u shfaq kompakt në mbrojtje. Kampioni gjerman tani është në seri prej gjashtë fitoreve, kurse së fundi ka humbur më 5 nëntor.

“E kemi ditur para ndeshjes që Interi është ekip solid në mbrojtje dhe që na lejon shumë pak hapësirë. Është dashur të luanim me durim. Kemi pritur për rastin e vetëm që e kishim në ndeshje dhe përfituam prej tij”, ka thënë Xhaka pas fitores së madhe.

Yann Sommer është portier i Interit. Xhaka e Sommeri për kohë të gjatë kanë luajtur së bashku te Zvicra.

Leverkuseni në kampionatin e kaluar ka fituar shumë ndeshje me gola të minutave të fundit. Ndaj Interit, Nordi Mukiele realizoi në minutën e fundit të kohës së rregullt.

“Secila fitore të jep besim. Është shumë me rëndësi që sërish jemi të uritur për sukses”, ka shtuar Xhaka. Ai çmon mentalitetin e skuadrës.

“Duhet të bëjmë më shumë sërish, pasi gjërat nuk kanë shkuar në mënyrën se si shkuan në edicionin e kaluar”, ka vazhduar kapiteni i Zvicrës.

32-vjeçari Xhaka thotë se nëse Leverkuseni vazhdon të luajë si ndaj Interit, atëherë edhe do të fitojë ndeshjet.

Në Ligën e Kampionëve kanë mbetur edhe dy xhiro në fazën e ligës. Në janar kampioni gjerman luan me Atletico Madridin dhe Sparta Pragën.

“Synimi tani definitivisht është të jemi në top-tetë. Jemi në pozitë shumë të mirë, ndërsa i kemi edhe dy ndeshje të rëndësishme. Shpresojmë se do t’i fitojmë të dyja”, ka theksuar Xhaka.

Me dy fitore, Leverkuseni kualifikohet direkt në një të tetën e finales. Por, mund t’i mjaftojnë edhe më pak se gjashtë pikë.