Xherdan Shaqiri e ka pranuar me vështirësi barazimin 1:1 të Baselit me St. Gallenin. Në ndeshjen e së dielës kishte gola të anuluar, kartonë të kuq dhe faulë të ashpër. Sipas yllit të Baselit, ekipi i arbitrave, i drejtuar nga Lionel Tschudi, nuk e kreu punën mirë. 

“Është e pabesueshme çfarë vendimi mori arbitri. Goli është dashur të pranohej”, ka thënë Shaqiri, shkruan “20min.ch”.

Ai i është referuar golit të anuluar të Anton Kades. Goli nuk u pranua pasi Benie Traore goditi fuqishëm Jordi Quintillan, pak para barazimit. Lojtari i Baselit u ndëshkua me karton të kuq  për atë ndërhyrje, pas rishikimit të VAR-it.

Shaqiri, që ishte prej lojtarëve më aktivë në fushë, ka vazhduar me kritika.

“Një natë më parë pamë vendim shumë të gabuar në ndeshjen Luzern – Lugano, kur gjyqtari dha penallti ndonëse ndërhyrja ndodhi jashtë zonës së rrezikshme”.

Sipas Shaqirit, “në Zvicër duhet të mendojmë nëse vërtet i kemi referët më të mirë. Duhet të zhvillohemi tutje në këtë aspekt. Thjesht janë marrë shumë vendime të gabuara, ndonëse e kemi VAR-in”.

Ai i është kthyer golit të Kades, duke thënë se është dashur të pranohej.

“Është e qartë që Traore preku topin i pari. Ai rrëshqiti, por shkoi në drejtim të topit. Kundërshtari ishte shumë vonë. Është plotësisht e natyrshme që ai më pas goditi kundërshtarin. Për mua ishte vendim i gabuar”, ka thënë Shaqiri.

Por eksperti i referimit në Zvicër, Stephen Klossner, ka thënë se Tschudi vendosi drejt.

“Është skena më e vështirë për VAR-in dhe referin. Traore kërceu lart dhe duke rrezikuar shumë e goditi topin dhe Quintillan. Për fat unë nuk është dashur ta merrja atë vendim”, ka thënë Klossner.
Admir Mehmedi, ish-lojtari tjetër i Zvicrës, në një mënyrë është pajtuar me Shaqirin.

“Në aspekti i futbollit nuk është karton i kuq as për mua. Por, sipas rregullave, është. Mund të diskutojmë këtë për kohë të gjatë”, ka thënë Mehmedi.

Baseli  lëshoi pikë të rëndësishme, por vazhdon garën interesante për titull të kampionit në Zvicër.