Milaim Kelmendi është kandidat për kryetar të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Kelmendi është për kohë të gjatë kryetar i Federatës së Skijimit të Kosovës, ndërsa të mërkurën ka konfirmuar për KOHËN që do të kandidojë për kryetar të organizatës kryesore sportive në vend. Kelmendi aktualisht është nënpresident i KOK-ut, ndërsa ka vendosur të kandidojë për postin e kryetarit.
Asambleja Zgjedhore e KOK-ut pritet të mbahet në shkurt të vitit të ardhshëm. Kryetari aktual, Ismet Krasniqi pritet të kandidojë sërish, por gara me Kelmendin parashikohet të jetë shumë e fortë.
Në fakt Kelmendi ka thënë se ka përkrahje shumë të madhe nga komuniteti sportiv, përkatësisht nga drejtues të federatave dhe asambleistë të KOK-ut.
“Po, është zyrtare. Jam kandidat për president të Komitetit Olimpik të Kosovës. E kam përkrahjen e madhe të komunitetit sportiv prandaj edhe kam vendosur të kandidojë. Në fakt janë njerëzit e sportit që kanë kërkuar nga unë që të kandidojë për president dhe pas kërkesës që më është bërë dhe pas konsultimeve, kam vendosur të kandidojë. Përkrahjen e kam shumë të madhe. Jam i sigurt se në Asamble Zgjedhore do të shkojë me 85 vota”, ka thënë Kelmendi për KOHËN të mërkurën mbrëma.
Ai në vitet e fundit ishte prej njerëzve të afërt të presidentit aktual, Ismet Krasniqi dhe sekretarit të përgjithshëm, Besim Aliti.
“Kam pasur sot takim me drejtuesit e Komitetit Olimpik. I kam njoftuar që do të kandidojë. Ne kemi funksionuar si një ekip, por tani kam vendosur të kandidoj për kryetar”, ka shtuar Kelmendi.