Një dekadë më parë, Albian Ajeti ishte pjesë e Baselit që u shpall kampion i Zvicrës në futboll. Baseli aktualisht është i dyti në elitën zvicerane, ndërsa sulmuesi kosovar shpreson të fitojë tjetër titull me këtë skuadër.
“Titulli me Baselin do të thoshte çdo gjë për mua. Baseli është klubi im i pëlqyer. Ëndërroj të fitoj titullin me Baselin dhe kujtimet nga titulli i kaluar më kthehen shpesh. Ato kujtime më motivojnë çdo ditë”, ka thënë Ajeti në një intervistë për “20Min.ch”.
27-vjeçari këtë edicion ka pesë gola e katër asistime në 16 paraqitje. Së fundi po paraqitet kryesisht si zëvendësues.
Ajeti është rritur te Baseli, por ishte larguar herët për tek Augsburgu. Më pas luajti edhe për St. Gallenin, ndërsa te Baseli u kthye në vitin 2017. Shkëlqeu dhe kishte periudha te West Hami, Celticu, Sturm Grazi, Gaziantepi dhe prej fillimit të vitit të kaluar është sërish te Baseli. Ka kontratë deri në verë.
Shpesh ka pasur telashe me lëndime.
“E ardhmja ime është te Baseli. Klubi e di këtë dhe unë e di këtë po ashtu”, ka thënë sulmuesi kosovar.
Te Baseli janë edhe disa futbollistë tjerë shqiptarë.