Për Fisnik Asllanin, sulmuesin e Përfaqësueses së Kosovës, është folur shumë në ditët e fundit se mund të largohet në drejtim të Kolnit që kishte shprehur interesim për të. 

Por, lajmi për largimin e Asllanit 22-vjeçar, është mohuar të enjten mbrëma nga shefi ekzekutiv i Elversbergut, skuadrës së kategorisë së dytë të futbollit gjerman. 

Nils-Ole Book ka thënë se Asllani do të mbetet futbollist i Elversbergut, deri në fund të kampanjës. 

Asllani në fakt është futbollist i Hoffenheimit, i huazuar tek Elversbergu deri në fund të këtij edicioni. 
“Fisniku nuk do të largohet në këtë afat kalimtar dimëror”, ka thënë Book për mediumin “Saarbrucker Zeitung”. 

Asllani që ka realizuar dhjetë gola e ka kontribuuar me katër asistime në 19 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual, ka kontratë me Hoffenheimin deri në vitin 2026. 

Ai ka luajtur për Kosovën U17, ndërsa më pas kishte luajtur te grupmoshat U18 dhe U20 e Gjermanisë. 
Iu bashkua Kosovës dhe qëkur debutoi më 6 shtator të vitit të kaluar, ka zhvilluar pesë paraqitje.