Armend Dallku, Debatik Curri, Ismet Munishi, Ahmed Januzi, Alban Dragusha, Ardin Dallku janë prej futbollistëve kosovarë që në të kaluarën kanë bërë karrierë në Ukrainë.

Muharrem Jashari e Hajdin Salihu nga janari i vitit të kaluar janë pjesë e kampionatit ukrainas, përkatësisht e skuadrës LNZ Cherkasy. Nga shtatori, Ilir Krasniqi luan për skuadrën tjetër të kampionatit të Ukrainës, Kolos Kovalivka.

Dhe trendi i kalimit të lojtarëve kosovarë te skuadrat ukrainase vazhdon. Këtë javë me Vorskla Poltavan ka firmosur ish-kapiteni i Kosovës U21, Milot Avdyli.

Sulmuesi 22-vjeçar ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Vorsklan, klubin ku histori kanë bërë sidomos Armend Dallku e Debatik Curri.

Avdyli u transferua te Vorskla nga skuadra zvicerane Aarau. U raportua se transferimi i kosovarit i kushtoi Vorsklas 100 mijë euro.

Kalimin te Vorskla, Avdyli e ka vlerësuar hap të rëndësishëm për karrierën e tij.

“Jam shumë i lumtur me transferimin te Vorskla Poltava. Kalimi në një klub të njohur në Ukrainë është hap i rëndësishëm në karrierën time dhe jam i motivuar të jap më të mirën për këtë ekip. Stërvitjet tashmë kanë filluar dhe ambientimi me stilin e lojës dhe filozofinë e ekipit po shkon mjaft mirë. Synimet e mia janë të ndihmojë ekipin të arrijë rezultate pozitive, të përmirësohem si lojtar dhe të kontribuoj në arritjen e objektivave të klubit”, ka thënë Milot Avdyli për KOHËN.

Futbolli në Ukrainë nuk është në momentin më të mirë. Ukraina ende po përballet me pushtimin rus. Kampionati megjithatë po vazhdon, ndërsa edhe lojtarë të huaj, duke përfshirë shqiptarët, vazhdojnë të bashkohen me klubet ukrainase.

Avdyli ka shtuar se ndihet i sigurt dhe se është i përqendruar te futbolli.

“Në lidhje me jetën në Ukrainë, natyrisht se situata me luftën krijon një ndjenjë të veçantë. Megjithatë, klubi dhe autoritetet kanë marrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë e lojtarëve dhe stafit. Për momentin ndihem i sigurt dhe i përqendruar te futbolli”, ka shtuar lojtari ofensiv.

Avdyli tek Aarau ishte transferuar para katër vjetësh nga Trepça ’89, ndërsa u shndërrua në lojtar të rëndësishëm te kjo skuadër. Me skuadrën që bënë gara në kategorinë e dytë të futbollit zviceran ka luajtur në 109 ndeshje duke kontribuar me shtatë gola dhe dhjetë asistime.

“Aventura ime me Aaraun ka qenë e paharrueshme. Kam kaluar katër vjet të mrekullueshme atje, duke u rritur si lojtar dhe si person. Do të jem gjithmonë mirënjohës për mundësinë dhe mbështetjen që më është dhënë”, thotë ai.

Për Kosovën U21, Avdyli ka luajtur në dhjetë ndeshje duke realizuar dy gola.

Ai ka paraqitje edhe për grupmoshat U16, U17 e U19 të Kosovës.

“Pas paraqitjeve me Kosovën U21, e ndiej se jam afër një ftese nga Kombëtarja A. Do të vazhdoj të punoj shumë për ta merituar atë ftesë dhe për të përfaqësuar vendin tim në nivelet më të larta. Kjo është një ëndërr për çdo lojtar dhe për mua është një motivim shtesë”.

Vorskla Poltava pas 17 ndeshjeve të para të kampionatit ukrainas ka mbledhur 16 pikë dhe zë vendin e 12-të.