Baseli e ka fituar të shtunën miqësoren e parë ndaj Thunit, 2:0, dhe me Xherdan Shaqirin zyrtarisht kapiten të ri të skuadrës për pjesën e mbetur të këtij edicioni.
Të gjithë ata që e panë ndeshjen nga afër mbetën edhe të befasuar paksa.
Në fanellën e Xherdan Shaqirit 33-vjeçar, ishte edhe një “C” e madhe.
“Xherdan Shaqiri është kapiteni i ri i klubit”, ka shkruar Baseli në faqen zyrtare.
“E kam pasur këtë në mendje qëkur ai u kthye në Basel”, ka thënë trajneri Fabio Celestini në lidhje me çështjen e kapitenit të skuadrës.
“Shaqiri është numri një i ekipit sa i përket eksperiencës dhe kualitetit”, shkruan “Blick” të shtunën.
Trajneri i Baselit ka thënë se për këtë nuk ka pasur problem as për Taulant Xhakën e as për Dominik Schmidin, që ishin kapitenë të skuadrës më herët.
Shaqiri u zëvendësua 30 minuta para fundit, ndërsa shiriti i kapitenit më pas u mor nga Xhaka.