Të mërkurën mposhti Golden Eagle Yllin, ndërsa ka fituar edhe ndaj Proton Cable Prizrenit, Sigal Prishtinës, Bashkimit e Vëllaznimit. Pesë fitoret e arritura nga Bora, në edicionin e saj të parë në Superligën e Kosovës në basketboll, janë vlerësuar arritje e madhe nga drejtori i shtabit teknik të klubit prishtinas, Besim Braha. Por Braha thotë se qëllimi nuk është arritur ende.
“Synimi primar është mbetja në elitën e basketbollit. Por nëse arrijmë edhe më lart, do të ishte arritje e jashtëzakonshme”, thotë Braha të enjten për KOHËN.
Më larg shkon një prej basketbollistëve më me përvojë që ka Bora, Besnik Azemi.
“Shpresojmë të arrijmë plejofin”, thotë Azemi.
Azemi thotë se me prurjet e reja, Bora mund ta arrij qëllimin e madh. Pra, të paraqitet në plejofin e Superligës së Kosovës në stinorin e parë në Superligë.
“Matematikisht gjithçka është e hapur. Janë edhe 13 ndeshje deri në fund të edicionit dhe tash me këto përforcimet e reja kemi më shumë mundësi të ndërrimit të lojtarëve në lojë dhe shpresojmë të arrijmë qëllimin që kemi”, është shprehur Azemi, që ka luajtur edhe për disa klube tjera kosovare. Më së gjati ka luajtur te skuadra e Trepçës.
Bora, si skuadrat tjera të Superligës po ashtu ka bërë përforcime të shumta e cilësore. Mori Musab Malën, Henrik Shirkon dhe Desmond Cambridgen. Të tre këta ishin pjesë e Superligës dhe pritet të jenë ndihmesë e madhe për skuadrën prishtinase.
Pjesë e Borës më nuk është Ardit Pepaj, që është larguar për në Gjermani. Boa udhëhiqet nga trajneri malazez, Danilo Rakoçeviq
“Ne do të vazhdojmë me këta lojtarë, por të shohim në pozitën pesë. Por struktura do të jetë kjo që është”, është shprehur Braha.
Pas 15 xhirove të zhvilluara, Bora është në vendin e shtatë me 20 pikë sa ka edhe Sigal Prishtina një pozitë më lart. Trepça është liderë me 26 pikë. Bashkimi i dyti me 25 pikë, Peja dhe Golden Eagle Ylli me nga 22 pikë janë në pozitat tre dhe katër. Krahas pesë fitoreve, Bora i ka edhe dhjetë humbje. Por Braha insiston se rezultatet janë pozitive marrë parasysh paraqitjen e Borës për herë të parë në Superligë.
Braha kthehet të flasë për synimet që ka klubi. Ai ka lënë të kuptohet se synimet e Borës janë të mëdha.
“Synimi është t’i ikim zonës që rrezikon rënien, pastaj shohim. Me rezultatet që kemi arritur jemi të kënaqur. Mendoj se deri tash kemi bërë një arritje të madhe. Uroj të vazhdojmë kështu. Do të ishte arritje e madhe, por ka ende ndeshje për t’u zhvilluar. Na mbetet të vazhdojmë të punojmë për të arritur rezultate pozitive. E rëndësishme është t’i ikim zonës 6-7 e pastaj pse jo e dhe ta përfundojmë sezonin sa më lart”, është shprehur Braha.
Klubi i basketbollit Bora nga Prishtina i zhvillon stërvitjet dhe ndeshjet në palestrën “1 Tetori”. Ka raste kur stërvitjet i zhvillon edhe në disa salla dhe palestra tjera të basketbollit.
Klubi prishtinas vlerësohet për organizimin e mirë, ndërsa për të ardhmen kanë synime edhe më të mëdha. Të fitojnë trofe madje. Por thonë se i përket planit për të ardhmen. Tani fokusin e kanë në ndeshjen e radhës kundër Sigal Prishtinës në fundjavë.