Marc Casado është zbulimi më i madh këtë edicion te skuadra e Barcelonës.
Me paraqitjet e tij, Casado ka mahnitur shumë tifozë të futbollit.
Casado është zhvilluar si futbollist në akademinë e Barçës.
21-vjeçari të martën ka deklaruar se kishte planifikuar që në fillimin e këtij edicioni të largohej nga Barça për t’u transferuar në ndonjë klub tjetër që të luajë më shumë minuta.
Por ardhja e trajnerit gjerman Hansi Flick te Barça ia ndryshoi mendimin Casados.
“Klubi donte që unë të vazhdoja, por është e vërtetë që ideja ime ishte të largohesha nga Barça që të luaja më shumë te ndonjë klub tjetër. Me ardhjen e Hansi Flickut, klubi më tha se ai po analizonte videot e ekipit të të rinjve dhe ai më pa mua si një pjesë e rëndësishme e skuadrës. Në fund e rinovova kontratën me idenë për të qëndruar në ekipin e parë”, ka thënë Casado, shkruan të martën “Mundo Deportivo”.
Spanjolli Casado ka luajtur në 22 ndeshje deri më tani në të gjitha garat.
Ka kontribuar me pesë asistime. Me gjigantin katalunas ka kontratë deri në verën e vitit 2028.