Erling Haalandi dhe Manchester City mund të jenë kthyer në rrugën e duhur, pas rezultateve më të dobëta të skuadrës nën drejtimin e Pep Guardiolës.

Haalandi realizoi dy herë të shtunën në fitoren 4:1 ndaj West Hamit, ndërsa City e shënoi fitoren e dytë rresht në Premier League, për herën e parë që prej fundit të tetorit.

Gjatë kësaj periudhe, kampioni në fuqi i Anglisë ka luajtur nëntë ndeshje të ligës dhe ka fituar vetëm një herë. Kjo ka bërë që ata të bien nën zonën që dërgon në “Champions” në edicionin tjetër.

City me fitoren në xhiron e 20-të të elitës angleze, tani ka 34 pikë në vendin e gjashtë.

Fitorja 2:0 në udhëtim te Leicesteri vikendin e kaluar nuk ishte bindëse, por sinjale pozitive ekipi i Guardiolës dha kundër West Hamin, ndërsa Haalandi dukej më i gjindshëm para portës. Norvegjezi realizoi pas harkimit të Savinhos për 2:0 në minutën e 42-të, dhe shënoi për 3:0 në minutën e 55-të, pas një pasimi tjetër të Savinhos.

Vladimir Coufal me autogol dhe Phil Foden me golin e minutës së 58-të, realizuan për fitoren e thellë të vendësve. Niclas Fullkrug e shënoi golin e vetëm për West Hamin në minutën e 71-të.

Ecuria pa fitore e Chelseat tani është rritur në katër ndeshje, pas barazimit të shtunën 1:1 në udhëtim te Crystal Palace.

Jean-Philippe Mateta i barazoi shifrat në minutën e 82-të për Crystal Palacen, ndërsa Cole Palmer realizoi për Chelsean.

“Blutë” kanë barazuar dy herë dhe kanë humbur dy herë që prej 22 dhjetorit. Kjo ka bërë që të shkëputen nga gara për titull.

Chelsea ka nëntë pikë më pak se Liverpooli, që i ka dy ndeshje më pak të luajtura. Liverpooli të dielën luan në shtëpi ndaj Manchester Unitedit.

Alexander Isak shënoi në ndeshjen e shtatë rresht në Premier League, për t’ia siguruar Newcastlet fitoren 2:1 ndaj Tottenhamit.

Sulmuesi suedez shënoi në minutën e 38-të, që në fund ishte goli i fitores. Për Isakun ishte goli i 13-ti në këtë edicion, dhe i nënti në shtatë ndeshjet e fundit.

Dominic Solanke shënoi për Tottenhamin, ndërsa Anthony Gordon e realizoi një tjetër gol për Newcastlen, që e shënoi fitoren e pestë rresht, për vendin e pestë.