Trajneri i Milanit, Sergio Conceiçao, ka kërkuar që futbollistët të fokusohen në ndeshjen e radhës në Serie A.

Conceiçao të premten në konferencë për shtyp ka deklaruar se Superkupa tashmë ka përfunduar dhe një klub si Milani nuk duhet të fokusohet vetëm te një trofe.

Milani të hënën e fitoi Superkupën e Italisë duke e mposhtur në finale Interin me rezultatin 3:2.

“Ata që mendojnë se fitimi i një Superkupe është i mjaftueshëm, nuk mund të punojnë te Milani. Një klub që ka fituar 19 kampionate italiane dhe shtatë herë Ligën e Kampionëve nuk mund të jetë i kënaqur vetëm me Superkupë. Le të fokusohemi te ndeshja e radhës ndaj Cagliarit. Superkupa tashmë ka përfunduar”, ka thënë Conceiçao.

Milani të shtunën nga ora 20:45, në kuadër të javës së 20-të të Serie A, do të ballafaqohet me Cagliarin.

“Kuqezinjtë” kanë 27 pikë dhe renditen në pozitën e tetë.

Cagliari ka 17 pikë dhe është në vendin e 17-të.