Liverpool – Manchester United konsiderohet derbi më i madh në futbollin anglez. Por derbi i së dielës në “Anfield” vë përballë skuadra që shkojnë në drejtime të kundërta. Ndeshja zhvillohet prej orës 17:30 dhe i takon xhiros së 20-të të Premier Leagues.
Liverpooli është lider në Premier League dhe në Ligën e Kampionëve. Tashmë synon të barazojë rekordin e Manchester Unitedit prej 20 titujve të kampionit në Angli. Liverpooli ka humbur vetëm një herë në shtatë ndeshjet e fundit nga Unitedi në Premier League, ndërsa së fundi fitoi 3:0 në “Old Trafford” në muajin shtator.
Manchester Unitedi është më afër zonës së rënies së kreut të tabelës, në një tjetër kampanjë dëshpëruese gjatë të cilës u largua trajneri, drejtori sportiv dhe njëri prej lojtarëve kryesorë.
Aq larg janë dy skuadrat e mëdha angleze sa te njëra flitet për fitimin e katër trofeve dhe te tjetra për mbijetesë në elitë.
Por si përfunduan dy ekipet më të suksesshme angleze në këto rrugë kaq të ndryshme?
Gabimet me trajnerë
Unitedi është në rënie alarmuese prej se fitoi titullin e 20-të në edicionin e fundit të Alex Fergusonit si trajner, atë 2012/2013. Prej se legjenda Ferguson u pensionua, Unitedi nuk i është afruar titullit. Ruben Amorim është trajneri i gjashtë i angazhuar nga klubi gjatë këtyre 11 vjetëve. David Moyes, Louis van Gaal, Jose Mourinho, Ole Gunnar Solskjaer dhe Erik ten Hag dështuan të ofrojnë sukses të vazhdueshëm. Dhe ndryshimet e shpeshta kanë bërë që skuadra të luajë në mënyra të ndryshme, por pa gjetur suksesin deri më tani.
Amorimi shpejt e ka kuptuar sfidën që e ka para, duke pësuar gjashtë humbje në tetë ndeshjet e para. Këtë javë ai pranoi se Manchester Unitedi mund të jetë në betejën për të shmangur rënien.
“Është e mundshme”, ka thënë portugezi. “Duhet të jemi të qartë me tifozët tanë”.
Derisa Unitedi ka bërë rrëmujë në tentim për të zëvendësuar ikonën e futbollit, Liverooli ka bërë që ndryshimi i trajnerit të duket gjë e lehtë.
Holandezi Arne Slot mori detyrën jo të lakmueshme për të mbushur zbrazëtinë e krijuar pas largimit të Jorgen Kloppit në fund të edicionit të kaluar. Dhe ka drejtuar e po drejton skuadrën drejt niveleve të reja.
Gjermani Klopp fitoi shumë trofe gjatë periudhës në “Anfield” kurse mbeti me vetëm një titull në Premier League për shkak të nivelit superior të Manchester Cityt të Pep Guardiolas.
Me Slotin, Liverpooli udhëheq në Premier League me gjashtë pikë më shumë se përcjellësit dhe me një ndeshje më pak të zhvilluar. Udhëheq në Champions me tri pikë më shumë se përcjellësit dhe është në gjysmëfinale të Kupës së Ligës.
Ndoshta është me fat që mori drejtimin e skuadrës kur City është në krizë, por 14 fitoret në 18 ndeshjet e deritashme do ta fusnin skuadrën në garë për titull në secilin edicion.
Transferimet
Miliarda janë shpenzuar nga Manchester Unitedi, por më shumë se transferime të qëlluara kishte gabime të shtrenjta.
Transferimi i superyjeve si Angel di Maria, Alexis Sanchez, Paul Pogba, Casemiro dhe Jadon Sancho dolën të jenë dëshpërim. Nga afati i fundit kalimtar, lojtarë të transferuar si Joshua Zirkzee e Matthijs de Ligt kanë pasur vështirësi po ashtu.
Amorim duhet të shesë në janar nëse dëshiron të angazhojë lojtarë të tjerë. Marcus Rashford, që nuk duket të jetë në planet e tij, është mundësia më e mirë e Amorimit për të siguruar fonde.
Është krejt ndryshe me Liverpoolin, që ka bërë lëvizje të zgjuara gjatë dekadës së fundit. Kur ka shpenzuar shumë, kryesisht ka shpenzuar mirë, me lojtarë të rëndësishëm të afruar si Virgil van Dijk e Alisson, që janë shtylla të skuadrës.
Nën drejtimin e konglomeratit amerikan “Fenway Sports Group” (FSG), Liverpooli u bë forcë në Angli dhe Evropë, ndërsa i dha fund pritjes 30-vjeçare për titull të kampionit në Angli.
Punësimi i Kloppit ishte vendimtar në këtë, ndërsa ndikim të madh kishte edhe drejtori sportiv Michael Edwards, i larguar në vitin 2022, por që është kthyer si shef ekzekutiv i futbollit në FSG dhe ndihmoi në angazhimin e Slotit.
Pronarja e Unitedit, familja amerikane Glazer, është përballur me protesta të rregullta të tifozëve, qëkur bleu klubin në vitin 2005. Investimi i miliarderit britanik Jim Ratcliffe, vitin e kaluar, solli optimizëm. Ai mori kontrollin e operacioneve të futbollit në klub, por gjërat nuk shkuan sipas planit.
Ten Hag u largua e më pas edhe drejtori sportiv Dan Ashworth. Transferimet në afatin e parë veror të Ratcliffe gjithashtu lënë për të dëshiruar, ndërsa skuadra është në vendin e 14-të, shtatë pikë mbi zonën e rënies.
Liverpooli po kalon formë të hatashme, ndonëse ka çështje të mëdha për të zgjidhur.
Yjet si Mohamed Salah, Virgil van Dijk dhe Trent Alexander Arnold do të jenë të lirë në fund të qershorit. Salah dhe Van Dijk janë në të 30-tat dhe ka diskutime për kohëzgjatjen e kontratave që Liverpooli duhet t’ua ofrojë. Ndërkohë Alexander Arnold është synim i Real Madridit.
Shqetësim i madh i Amorimit momentalisht është se si ta kthejë formën e skuadrës. Sa i takon synimeve afatgjata, skuadra duket e papërshtatshme për sistemin e preferuar të tij.