Didier Deschamps ka konfirmuar të mërkurën se nuk do të vazhdojë të jetë selektor i Francës në futboll pas Kampionatit Botëror të vitit 2026.

56-vjeçari Deschamps ka thënë në një intervistë për transmetuesin TF1 se do të largohet pasi t’i përfundojë kontrata në verën e vitit 2026.

“Jam këtu që nga viti 2012. Është planifikuar të qëndrojë deri në vitin 2026, deri në Botërorin e ardhshëm dhe atje do të përfundojë pasi duhet të ketë një fund”, ka thënë Deschamps.

Deschamps ka pasur periudhë të mahnitshme në krye të Francës.

Ai mori postin e selektorit duke zëvendësuar Laurent Blancun dhe e udhëhoqi Francën drejt triumfit në Kupën e Botës 2018. Po ashtu siguroi finalen e Botërorit 2022 edhe në Evropianin e vitit 2016. Në Katar, në vitin 2022, Franca u paraqit në finale ndaj Argjentinës. Ishte një ndeshje epike për titull të kampionit, që u fitua nga Argjentina.

“Nuk jam këtu për rekorde”, ka shtuar Deschamps. “Gjëja më e rëndësishme është që ekipi i Francës të mbetet në majë, aty ku ishte për shumë e shumë vjet”.

Evropa do të ketë 16 ekipe në Botërorin me 48 përfaqësuese që do të mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë në verën e vitit  të ardhshëm.

Deschampsi nuk ka dhënë detaje për të ardhmen e tij pas Kupës së Botës, në të cilën Franca do ta kërkojë titullin e kampionit.

“Ka jetë edhe pas kësaj. Nuk e di cila do të jetë ajo”, ka thënë Deschamps.

Ai kishte drejtuar Monacon, Juventusin dhe Marseillen para se të merrte drejtimin e Francës. Si lojtar për Francën i ka luajtur 103 ndeshje dhe i ka realizuar katër gola. Ka bërë karrierë të suksesshme sidomos te Juventusi, ndërsa ishte edhe te Chelsea, Valencia, Marseille, Nantesi dhe Bordeauxi. Si futbollist, Deschamps kishte fituar Botërorin në vitin 1998 dhe Evropianin në vitin 2000.

Zinedine Zidane vlerësohet favorit për ta zëvendësuar Deschampsin në postin e lakmuar të selektorit të Francës.