Ish-mesfushori i Kosovës, Enis Alushi, është emëruar drejtor meanxhues në BFC Dynamo, që garon në Kategorinë e Katërt të Gjermanisë. Alushi 39-vjeçar pas karrierës së tij si lojtar, u pajis me licencën A, ndërsa përfundoi shkollimin për menaxhim futbolli. Viteve të fundit ka punuar si skaut dhe konsulent për një agjenci. 

“Dua të falënderoj klubin për besimin që kanë treguar. Jam shumë krenar që më është besuar kjo përgjegjësi dhe tani e tutje mund të punoj në klub. Mezi pres të njoh kolegët dhe shikuesit e klubit. Jam i bindur se ne do të shkojmë drejt një të ardhme të suksesshme së bashku”, ka thënë Alushi për faqen e klubit gjerman. 

Alushi ka bërë karrierë të pasur për disa klube në Gjermani. Ai luajti gjithsej 357 ndeshje në karrierën e tij, përfshirë 172 ndeshje në Bundesliga 2. 

“Jemi shumë të kënaqur që Enis Alushi po merr përgjegjësinë në fushën sportive. Gjatë procesit tonë të përzgjedhjes, ne shikuam aplikimet dhe në fund vendosëm për Enis Alushin, sepse jemi të bindur se me të do të arrijmë synimet tona sportive në vitet në vijim”, ka thënë drejtori sportiv, Angelo Vier. 

Alushi për Kosovën ka luajtur dhjetë ndeshje ndërsa në vitin 2015 u shpall futbollisti i vitit në Kosovë.