Shumë lojtarë shpresojnë që nga liga e Kosovës të transferohen në liga të vendeve me futboll më të zhvilluar. Ka plot futbollistë që një lëvizje të tillë synojnë ta bëjnë që në këtë afat kalimtar.

Por është një futbolliste që ka realizuar transferim e parë në vitin 2025.

Mbrojtësja e krahut, Fatlinda Ramaj, të shtunën është prezantuar te skuadra e Superligës së Turqisë, Trabzonspor.

24-vjeçarja deri më tani ishte te kampionia e Kosovës, Mitrovica.

KFF Mitrovica njoftoi të shtunën se ka liruar Ramajn, ndonëse ajo kishte ende kontratë valide me klubin.

Kalimi nga kampionati i Kosovës në kampionatin e Turqisë është hap i madh para në karrierën e Fatlindës. Ajo ka thënë të dielën për KOHËN se shpreson të jetë e suksesshme në skuadrën turke, ku janë edhe katër futbolliste shqiptare, dy nga Kosova e dy nga Shqipëria.

“Jam shumë e lumtur, synimet e mija kanë qenë gjithmonë që të transferohem jashtë vendit. Normalisht, synimet e mija janë gjithmonë të arrij lart e më lartë. Por së pari shpresoj ta kem shëndetin dhe të vazhdoj të punoj shumë”, ka thënë Fatlinda Ramaj.

Ajo tashmë i ka filluar stërvitjet me skuadrën nga Turqia. Ka treguar se është pritur ngrohtë nga të gjithë te Trabzonspori.

“Te klubi më kanë pritur shumë mirë. Këtu janë edhe katër futbolliste tjera shqiptare. E diela ishte dita ime e tretë në stërvitje. Stërvitjet janë duke shkuar shumë mirë”.

Pjesë e Trabzonsporit janë edhe Kaltrina Biqkaj, Lumbardha Misini, Armela Tukaj e Valentina Troka. Me Ramajn, “kolonia” shqiptare në këtë klub rritet ende.

“Më kanë parë duke luajtur përmes videove dhe duke luajtur për Kosovën. Me paraqitjet e mija janë ndarë të kënaqur dhe më pas jam kontaktuar nga Trabzonspori”, ka treguar ajo.

Me Trabzonsporin, mbrojtësja e krahut ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në përfundimin e këtij edicioni.

Trabzonspori aktualisht renditet në pozitën e pestë të kampionatit turk me 24 pikë.

Fatlinda ka bërë hapin e madh në karrierë pas vetëm gjashtë muajsh te Mitrovica. Karrierë në Kosovë ka bërë edhe te Hajvalia, A&N dhe Feronikeli. Ka dy tituj me Hajvalinë, ndërsa për Kosovën ka katër vjet që ftohet rregullisht. Tashmë i ka 24 ndeshje.

“Është një ndjenjë e papërshkrueshme kur luan për Kombëtaren e Kosovës. Unë gjithmonë e jap maksimumin në ndeshje kur luaj për vendin tim”.

Në Superligën turke paraqitet edhe reprezentuesja tjetër e Kosovës, Donjeta Halilaj.