Gjykata sportive e Federatës së Futbollit të Gjermanisë ka vendosur në favor të Bochumit për ndeshjen ndaj Union Berlinit, në të cilën portieri i mysafirëve ishte goditur me shkrepëse nga tifozët vendës.

Ndeshja që ishte zhvilluar më 14 dhjetor ndërmjet Union Berlinit dhe Bochumit, ishte ndërprerë pas atij rasti për gjysmë ore, ndërsa më pas kishte vazhduar e ishte mbyllur 1:1.

Por, Bochumi ka siguruar pikët e plota falë vendimit të marrë të enjten. Ishte vetëm fitorja e dytë e Bochumit në edicionin aktual të Bundesligës gjermane.

Kryetari i gjykatës, Tephan Oberholz, ka thënë të enjten se gjykata ka vlerësuar se “portieri i Bochumit, Patrick Drewes, u lëndua nga shkrepësja që u hodh në kokën e tij dhe ia ka limituar aftësinë për të luajtur. Kjo e ka dobësuar ekipin e Bochumit nga veprimi i shkaktuar nga një tifoz i Union Berlinit, dhe sipas rregullave ligjore dhe procedurave të federatës, me këtë ngarkohet Union Berlini”.

Portieri i Bochumit më 14 dhjetor kur ndeshja ishte fare pranë përfundimit dhe rezultati ishte 1:1, po përgatitej ta riniste topin kur u godit nga një objekt në kohën shtesë.

Gjyqtari Martin Petersen e pezulloi ndeshjen përkohësisht, ndërsa të dyja ekipet u larguan drejt dhomave të zhveshjes, pasi Drewes mori tretmanin mjekësor në fushë.

Drewes u zëvendësua nga sulmuesi Philipp Hofmann kur ndeshja nisi pas gjysmë ore. Të dy ekipet u pajtuan që të mos shënonin gol në tre minutat e mbetur.

Bochumi në atë ballafaqim nga minuta e 13-të kishte luajtur pa mesfushorin japonez, Koji Miyoshi, i cili ishte ndëshkuar direkt me karton të kuq.

Më pas, mesfushori tjetër i Bochumit, Ibrahima Sissoko, kishte shënuar për mysafirët në minutën e 23-të.

Golin e barazimit për vendësit e kishte shënuar Benedict Hollerbach, në minutën e 33-të.

Deri në fund nuk kishte pasur më gola, përveç momentit të goditjes së portierit mysafir me shkrepëse dhe ndërprerjes së gjatë, ku nuk dihej nëse ndeshja do të riniste apo jo.

Shefi ekzekutiv i Bochumit, Ilja Kaenzig, ka thënë në atë kohë se klubi do të bënte një ankesë zyrtare për rezultatin, duke thënë se gjyqtari nuk është dashur ta vazhdonte ndeshjen.

Union Berlini mund të bëj ankesë brenda një jave, në vendimin që e mori Gjykata Sportive e Federatës gjermane të enjten.

“Vendimi bie ndesh me opinionin tonë sepse ndeshja është dashur të mbyllej me rezultatin 1:1 sipas vendimit të gjyqtarit”, ka thënë zyrtari për media i Union Berlinit, Christian Arbeit.

Arbeiti shtoi se klubi do të vendos nëse do të ankohet në lidhje me vendimin, në momentin që gjykata do t’i tregojë me shkrim arsyet për marrjen e këtij vendimi.

Kjo fitore do të bënte që Bochumi të ngjitej në pozitën e parafundit në tabelë me nëntë pikë, një më shumë se Holstein Kieli që do të binte në vendin e fundit.

Ndërkohë, Union Berlini do të mbetej në pozitën e 12-të me 16 pikë.