Nga Arsenali i Londrës te Bayer Leverkuseni në Gjermani.
Jo të gjithë e vlerësuan lëvizje të duhur atë që Granit Xhaka e bëri në verën e vitit 2023. Ai po largohej nga skuadra e madhe londineze, që kryesisht është në pjesën e epërme të tabelës në Premier League të Anglisë dhe lufton vazhdimisht për trofe. Po kalonte te skuadra e Bundesligës gjermane që në edicionin paraprak kishte përfunduar në vendin e gjashtë. Dhe për më tepër nuk e kishte asnjë titull të kampionit në Bundesligë.
Më shumë u mendua si lëvizje që e bëjnë shumë lojtarë në fazë të vonshme të karrierës. Kalim nga një klub më i madh në një klub pak më të vogël, ku presioni është më i vogël dhe kërkesat janë më të vogla po ashtu.
Vetëm lëvizje e tillë nuk ishte.
Te Bayer Leverkuseni, Granit Xhaka po e kalon periudhën dukshëm më të mirë në karrierë. Viti 2024 e dëshmoi këtë.
Pasi në vitet 1997, 1999, 2000, 2002 e 2011, kishte përfunduar nënkampion, Bayer Leverkuseni këtë vit e fitoi titullin e parë të Gjermanisë. Është mënyrë se si e fitoi titullin që e bën të veçantë suksesin e Leverkusenit – pa asnjë humbje. Gjithë kampionatin skuadra që Xhakën e ka lider të pakontestueshëm në mesfushë, nuk u mposht asnjëherë në Bundesligë. I kishte plot 28 fitore e gjashtë barazime. Humbje: 0.
Me 90 pikë, Leverkuseni ishte i pakonkurrent në garën për titull. Stuttgarti mbeti i dyti me 73 pikë. Bayerni i treti me 72.
Xhaka pati ndikim shumë të madh në kampanjën e shkëlqyer të Leverkusenit. Dhe dëshmoi se kalimi te Leverkuseni ishte i menduar mirë dhe vendim plotësisht i drejtë. Ai mungoi vetëm në një ndeshje kampionale, për shkak të kartonëve. Mungoi ndaj Stuttgartit, gati në fund të edicionit. I kompletoi shumicën e ndeshjeve. I realizoi tri gola, por kontributi i tij ishte i pakrahasueshëm. Udhëhoqi secili aksionin e po ashtu kreu punë të madhe kur skuadra mbrohej. Ndonëse në edicionin e parë në klub, Xhaka ishte lider i pakontestueshëm në ekip. Ishte “dorë” e trajnerit Xabi Alonso në fushën e lojës.
Jo vetëm në Bundesligë shkëlqyen Leverkuseni e Xhaka. Për herë të dytë në histori kjo skuadër e fitoi Kupën e Gjermanisë. Për herë të parë e kishte fituar në vitin 1993.
E fitoi më pas edhe Superkupën e Gjermanisë, ndërkohë që në Ligën e Evropës humbi në finale. U mposht nga Atalanta 3:0, më 22 maj në Dublin, në një mbrëmje që nuk ishte e Xhakës. Ajo finale ishte prej fare pak ndeshjeve, ku Xhaka nuk shfaqi nivel superior.
Fillimi i edicionit 2024/2025 ishte i vështirë për Leverkusenin. Kishte humbje e barazime. Por gradualisht forma u rrit dhe tashmë Leverkuseni është në garë me Bayernin për kreun e tabelës.
Xhaka e Leverkuseni po paraqiten mirë edhe në Ligën e Kampionëve. Pas xhiros së gjashtë kampioni gjerman është në vendin e katërt me 13 pikë. Është në pozitë të mirë për t’u kualifikuar direkt në një të tetën e finales.
Ndikimin që këtë vit e pati te Leverkuseni, Granit Xhaka e ka për shumë e shumë vjet te Zvicra. Është kapiten dhe rekordmen sa i takon numrit të paraqitjeve. I ka plot 135 ndeshje, dhjetë më shumë se Xherdan Shaqiri e Ricardo Rodriguez që janë në vendin e dytë.
Me Xhakën lider në mesfushë, Zvicra u paraqit me sukses në Kampionatin Evropian në gjermani. E kaloi pa humbje grupin ku ishte me Gjermaninë, Hungarinë e Skocinë. Në një të tetën e finales Zvicra fitoi 2:0 ndaj Italisë, ish-kampiones. Në çerekfinale, Zvicrës i mungoi fati. Humbi në penallti nga Anglia, pasi koha e rregullt e vazhdimet përfunduan 1:1.
Granit Xhaka vazhdon të shkëlqejë. Nuk e ka lëshuar asnjë minutë në stinorin vjeshtor në Bundesligë. I ka kompletuar të gjitha 15 ndeshjet, ndërsa ka dy gola e pesë asistime. Leverkuseni tashmë e ka eliminuar Bayernin nga gara për Kupë, ndërsa është gati për suksese të tjera.
Shumë do të varet nga këmbët e Xhakës. Deri më tani ato po dalin të jenë të jenë granit të forta.