Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, nuk është plotësisht i bindur nga formati i ri i Ligës së Kampionëve, por e ka vlerësuar përvojën si “mësim të jashtëzakonshëm” për skuadrën e tij. Kampioni anglez me shumë mund e kaloi fazën e ligës në Champions.
Manchester City e përmbysi rezultatin për ta mposhtur skuadrën belge Club Brugge të mërkurën mbrëma me rezultatin 3:1. Kjo fitore ia mundësoi Cityt avancimin në fazën e plejofit nga faza e ligës. Skuadra e Pep Guardiolas përfundoi vetëm në vendin e 22-të, ndërsa u kualifikuan gjithsej 24 skuadra. Madje edhe skuadra e vendit të 25-të, Dinamo Zagrebi, kishte pikë të barabarta me Manchester Cityn. Në fund për katër skuadrat me nga 11 pikë vendosi goldallimi.
“Do të thosha se nuk më pëlqen formati i ri, pasi kemi vuajtur shumë”, ka thënë Guardiola, ekipi i të cilit fitoi vetëm dy prej shtatë ndeshjeve të para. Kjo bëri që ndeshja e xhiros së fundit të jetë vendimtare.
“Ishim 45 minuta larg eliminimit. Është mësim i jashtëzakonshëm për mua dhe lojtarët. Mësim për atë se asgjë nuk është e garantuar”, ka shtuar tekniku spanjoll.
Manchester City përballet me Bayernin apo Real Madridin në dy ndeshjet e fazës së plejofit. Forma e Cityt këtë edicion nuk e bën favorite ndaj asnjërës skuadër. Por City po bën përforcime dhe pritet të ketë fytyrë tjetër ndërkohë.
Lojtarët e transferuar së fundi, Omar Marmoush, Abdukodir Khusanov dhe Vitor Rei nuk kishin të drejtë loje të mërkurën. Por mund t’i bashkohen ekipit në fazën nokaut. Ndeshjet e plejofit janë në javën e dytë dhe të tretë të janarit.
Lojtarë të rëndësishëm po ashtu kthehen nga lëndimet.
“Pas dy javësh do të jemi dukshëm më mirë”, tha Guardiola. “Lojtarët do të kthehen, kemi bërë transferime po ashtu”.
Guardiola është realist për edicionin në të cilin mban pozitën e katërt në Premier League. Është pozitë jotipike për ekipin e tij.
“Nuk e di nëse janë të lumtur që luajnë ndaj nesh, por është si është. Njëri ekip është mbret i garës, tjetri është mbreti i dytë apo i tretë i garës”, ka thënë Guardiola derisa ka folur për kundërshtarët e mundshëm.
Real Madridi ka 15 trofe evropiane, që është rekord. Bayerni i ka gjashtë trofe evropianë.
“Ne luajmë këtë garë me miliona probleme. Kundërshtarët janë favoritë, janë ekipe më të mira se ne momentalisht”.
Mateo Kovaçiq dhe zëvendësuesi Savinho shënuan golat për Cityn në pjesën e dytë, ndërsa Brugge e kishte një autogol.
“Pjesa e parë ishte aq akademike, na mungoi shkëndija për të ndezur. Savinho na ndihmoi. Ai ndryshoi lojën. Pas pesë minutash siguroi dy apo tri goditje nga këndi”, ka thënë Guardiola.
“Ndonjëherë kur je duke udhëhequr 2:0 apo 3:0 frikësohesh se do të mposhtesh. Ne ishim duke pësuar 1:0 në Ligën e Kampionëve dhe në momentet e duhura i shënuam golat”.