Skuadra e kategorisë së tretë e futbollit gjerman, Dynamo Dresdeni, e ka zyrtarizuar qendërmbrojtësin Andi Hoti si transferimin e parë të afatit kalimtar të dimrit.
Hoti nga Magdeburgu i Bundesliga 2, ka kaluar te Dynamo Dresdeni në formë huazimi.
Dynamo Dresdeni për synim e ka sigurimin e Bundesliga 2 në edicionin aktual, dhe pas 19 ndeshjeve të luajtura, zë vendin e parë me 38 pikë, një më shumë se Cottbusi i vendit të dytë.
21-vjeçari Hoti ka zhvilluar pesë paraqitje për Magdeburgun e vendit të pestë në Bundesliga 2.
Ndeshjen e fundit e zhvilloi në fillim të nëntorit, në barazimin 2:2 me Kaiserslauternin.
Hoti si futbollist është zhvilluar te të rinjtë e Zurichut, ndërsa më pas kaloi tek Interi U17, në janar të vitit 2020.
U huazua te Freiburgu, ndërsa Magdeburgu e transferoi atë përfundimisht.
Në nëntor të vitit 2024, Hoti debutoi me Përfaqësuesen A të Kosovës.
Hoti ka luajtur një ndeshje me Shqipërinë U17, ndërsa më pas luajti dy ndeshje me Kosovën U17 dhe 15 ndeshje me Kosovën U21. Me “Dardanët” e rinj e ka edhe një gol të shënuar.