Edon Zhegrova nuk e harron të kaluarën. Por, nuk ndalet të flasë shumë për gjërat që thotë se tashmë i takojnë së kaluarës.
Qoftë edhe kur bëhet fjalë për gjëra pozitive. Ylli i Kosovës fokusin e ka tek e ardhmja, që i parashihet e ndritshme.
Vitin 2024 Zhegrova e mbylli me sukses dhe për shkëlqimin në 12 muajt e fundit mori shumë çmime. E shpërbleu edhe KOHA. I ndau “Mirënjohje të veçantë”.
I veçantë Zhegrova është për mënyrën se si luan në fushë. Është gati e pamundur të ndalet.
Shquhet për driblime dhe veprimet e bukura individuale që janë gjithnjë e më të rralla në futboll.
Zakonisht lëviz nga e djathta drejt mesit të fushës dhe përfundon aksionet me këmbën e majtë.
Shpesh i përfundon me goditje mjeshtërore që jo rrallë gjejnë cakun.
Por Zhegrova insiston se ka ende vend për përmirësim.
“Unë nuk jam asnjëherë i kënaqur, këtë e dinë familja dhe shoqëria ime. Asnjëherë nuk kënaqem me sukseset që i kam arritur në të kaluarën. Gjithmonë shoh ditën tjetër të përmirësohem, të jem më i mirë në ndeshjen tjetër dhe gjithnjë duke shpresuar për më të mirën. Asnjëherë nuk kënaqem derisa t’i arrij të gjitha qëllimet e mia”, tha Zhegrova gjatë vizitës që ia bëri KOHËS në ditët e fundit të 2024-s.
Zhegrova e cilëson këtë vit si prej më të mirëve në karrierën si futbollist. Ai shkëlqeu në Ligue 1 të Francës e edhe më shumë në Ligën e Kampionëve me skuadrën Lille. Ndaj Real Madridit ishte lojtar i ndeshjes në fitoren 1:0. Ndaj Atletico Madridit shënoi supergol në fitoren 3:1, kurse kundër Juventusit bëri superasistim në barazimin 1:1. Falë edhe kontributit të madh të kosovarit, Lille është në vendin e tetë në Champions.
“Viti 2024 ka qenë prej më të suksesshmëve në karrierën time. Kam punuar shumë këtë vit dhe do të vazhdoj të punoj edhe më shumë për vitin 2025, sepse sezoni ende nuk ka përfunduar. Ka mbetur edhe pjesa tjetër e sezonit për t’u mbyllur. Jemi duke shkuar shumë mirë në Ligën e Kampionëve me ekipin. Në vitin 2025 kam shumë sfida të reja, si me ekipin po ashtu edhe me Kombëtaren dhe shpresoj të jetë më i suksesshëm se viti 2024”, është shprehur Zhegrova.
25-vjeçari iu bashkua skuadrës elitare të Francës në janar të vitit 2022 nga Baseli zviceran. Ka luajtur edhe në Belgjikë, për Genkun, për të rinjtë e Standardit dhe Truidenin, ndërsa në Kosovë ka luajtur për të rinjtë e Flamurtarit dhe Prishtinës.
Si pak lojtarë të lindur në Kosovë, Edoni po paraqitet me shumë sukses në Ligën e Kampionëve.
“Po besoj që është ëndrra e të gjithë lojtarëve të paraqiten në Ligën e Kampionëve. Për mua është hera e parë po ashtu me formatin e ri që është krijuar tashmë. Me ekipin kemi arritur rezultate shumë të mira, sidomos në përballje me klube të mëdha. Kemi pasur një grup të vështirë, kështu që na mbeten edhe dy ndeshje kundër Liverpoolit dhe Feyenoordit dhe besoj se do të arrijmë të kualifikohemi në raundin tjetër dhe të shkojmë sa më larg në Ligën e Kampionëve”, është shprehur Zhegrova.
Ai është prej lojtarëve më të kërkuar nga klubet e mëdha evropiane. Ndër klubet që ka shprehur interesim është edhe Milani, klubi që gati 15 vjet më parë e “zbuloi” në Kosovë.
Zhegrova u zgjodh më i miri në “Milan Junior Camp” që për disa vjet u mbajt në Kosovë. Një vit më pas Zhegrova bëri udhëtim në Milano për të marrë pjesë në manifestimin “Dita e Milanit”.
Një tjetër udhëtim, por për të qëndruar më gjatë në Milano, mund të bëhet në të ardhmen e afërt. Do të ishte një lëvizje ëndërr për kosovarin.
Milani, edhe pse nuk ka shumë rezultate vitet e fundit, është një nga skuadrat më të mëdha evropiane.
Ylli i Kosovës nuk lëshohet të flasë shumë për të ardhmen.
“Për momentin jam i fokusuar te klubi i Lillet. Jam shumë i lumtur dhe të ardhmes nuk i dihet, por deri në fund të edicionit jam i fokusuar te skuadra e pastaj besoj se do ta shohin të gjithë”, ka deklaruar Zhegrova, që indirekt paralajmëron lëvizje të madhe.
Zhegrova vlerësohet i rëndësishëm edhe te Kosova. Nga viti 2018 ka luajtur 34 ndeshje. Ka shënuar katër gola. Shpreson që ëndrra për t’u paraqitur në një ngjarje të madhe me Kosovën t’i bëhet realitet shumë shpejt.
“Është ëndrra ime dhe e secilit lojtar në Kombëtare. Pretendoj që gjatë karrierës me kombëtaren të shijoj kualifikimin në Evropian apo Botëror. Besoj se do të ishte ndoshta momenti më i lumtur i jetës sime të kualifikohem me Kosovën në Evropian apo Botëror, ta shohim gjithë Kosovën duke festuar bashkë me familjen, shoqërinë dhe popullin e Kosovës. Do të ishte diçka e madhe dhe besoj se do t’ia arrijmë me këtë grup lojtarësh dhe gjeneratat të reja që do të vijnë. Duam të kualifikohemi dhe, pse jo, këtë sukses ta arrijmë në këto kualifikime që i kemi tash për Botëror”.
Sulmuesi i krahut ka shumë sfida përpara, me klubin e Lillet e po ashtu me Kosovën. Me Kosovën në mars i luan dy ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve kundër Islandës, kurse në shtator nisin ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Kosova e nis ciklin e ri kualifikues kundër Zvicrës, ku Zhegrova ka shkëlqyer në të kaluarën.