Azdren Llullaku ka bërë shumë udhëtime në karrierë. Ka luajtur në klube të ndryshme në Itali, Rumani, Kazakistan e Bjellorusi.
Por udhëtimet e futbollit dallojnë shumë prej udhëtimit që e bëri 25 vjet më parë.
Si shumë shqiptarë të Kosovës, Llullaku bashkë me nënën dhe vëllanë u larguan nga shtëpia e tyre gjatë luftës së fundit.
Rrugëtimi nga Istogu për në Bari të Italisë ishte i jashtëzakonshëm për këta tre anëtarë të familjes Llullaku.
Ish-sulmuesi i Shqipërisë kaloi male fillimisht, e më pas Detin Adriatik me gomone.
Se rrugëtimi nga Kosova për në Vlorë ishte i jashtëzakonshëm për të dhe për familjen e tij, Llullaku tregoi në një bisedë për KOHËN.
“Ne ikëm në Vlorë pasi ishim vetëm unë, nëna dhe vëllai. Njerëzit që merreshin me këtë punë, transportimin e njerëzve me gomone nga Vlora për në Bari, erdhën te ne. Plani ishte, për shembull, që të niseshim si të themi sonte, por erdhën dhe na thanë se gomoni është plot dhe na duhet ta shtyjmë udhëtimin për të nesërmen. Pasi mbërritëm të nesërmen në Itali, mësuam se ata që ishin nisur atë natë kur është dashur edhe ne të shkonim, kishin vdekur të gjithë në det”, fillon tregimin Llullaku.
Atëbotë 11-vjeçar, Llullaku thotë se bashkë me familjen kishin kuptuar pak ditë më pas se i kishin shpëtuar më të keqes.
“Ka qenë frikë e madhe, pasi ishim shumë njerëz në një gomone të vogël. Ishim ngushtë. Mbaj mend personin para me kallashnikov, çdo moment prisnim se mund të ndodhte diçka. Midis detit u ndal gomoni diku 5 minuta dhe aty ka qenë frikë e madhe, pasi nuk e dinim se çfarë po ndodhte”, kujton futbollisti.
Ai u stabilizua me familjen në Itali. Tregon se nëna kishte nisur të punonte në hotelin ku ishin vendosur fillimisht.
“Nënës nuk mund t’ia shpërblej asnjëherë. Çka ka bërë ajo për ne, vështirë se mund t’ia shpërblejmë. Për sakrificat që i ka bërë për të ecur unë përpara, jam munduar që t’ia kthej, pasi kam pasur mundësi të blej shtëpi në Itali dhe të bëj shtëpi në Kosovë, dhe goxha jemi sistemuar. Jam shumë i lumtur për këtë”, thotë Llullaku.
Jeta në tri shtete
Llullaku i është borxhli edhe vëllait.
“Edhe vëllai për mua ka bërë një sakrificë, duke ndaluar shkollim vetëm për të punuar dhe që të më japë mua mundësinë të vazhdoj me futboll”.
Azdren Llullaku është baba i një djali 4-vjeçar. Thotë se përkushtimin për të e ka të madh. Llullaku është rritur pa baba. Babai i vdiq kur ishte 6-vjeçar.
Vëllanë e ka një vit më të madh. Tregon që nëna e tyre ishte e vendosur që djemve t’u ofronte një jetë më të mirë. Madje duke rrezikuar edhe jetën, duke bërë udhëtimin me barkën e vogël nëpër Adriatik.
36-vjeçari është pjesë e Gloria Bistrita-Nasaud, që garon në kategorinë e tretë të Rumanisë.
Ai është i kënaqur me jetën në Rumani. Por thotë se Kosova, vendlindja e tij, dhe Italia, që i dha jetë të mirë, janë vendet më të dashura.
“Kosova është një gjë që e ke në zemër. Ndjenjat që i përjetoj kur zbres në tokën e Kosovës janë të pashpjegueshme. Në Itali është shtëpia e dytë. Nënën e kam aty, vëllanë. Por si Kosova nuk ka”, është shprehur Llullaku.
Pengu i Llullakut
Karrierën si futbollist e nisi në Itali. Në vitin 2005 debutoi në ekipin e parë të klubit Conegliano. Në Serie B të Italisë luajti katër ndeshje për Virtus Entellan.
Në Rumani ka luajtur edhe për disa klube të tjera, ndër to edhe Gaz Metan Mediasin, po ashtu edhe në Kazakistan për Astanan
“Me karrierën jam i kënaqur. Normal se do të kishte mundësi edhe më shumë, por në total jam i kënaqur. Me moshën që kam 36 dhe do t’i bëj 37 në shkurt, jam i kënaqur. Kam arritur të luaj për Kombëtaren, në Itali. Sinqerisht jam i kënaqur”.
Atij i vjen keq që nuk shënoi gol për Shqipërinë.
“E vetmja gjë që nuk kam arritur është të jap një gol për Kombëtaren. Ka qenë dëshirë ta jap një gol. Fatkeqësisht, nuk ia kam dalë, por ka qenë kënaqësi që kam djersitur 12 herë fanellën e Kombëtares dhe është arritje e madhe”, ka theksuar Llullaku.
Sulmuesi ka ndeshje të zhvilluara edhe në Bjellorusi. Atje u përballë me një situatë të jashtëzakonshme për botën e sportit. Në vitin 2020 ishte pjesë e ekipit Shakter Soligorsk.
Atëbotë kampionati i Bjellorusisë ishte i vetmi në botë ku zhvilloheshin ndeshje, dhe atë me praninë e tifozëve në tribuna, pavarësisht situatës së krijuar me COVID-19.
Sa ishte e çuditshme për Llullakun, ishte edhe përvojë unike që luante në një ligë që kishte tërhequr vëmendjen e gjithë botës.
“Isha në Bjellorusi dhe mendoj se ka qenë ndoshta i vetmi shtet që nuk ndaloi së luajturi futboll. Të gjithë të tjerët ishin në shtëpi, ne luanim futboll me praninë e tifozëve. Ishte një gjë e pakuptueshme për mua në atë moment, sinqerisht”.
Llullaku kthehet shpesh në Itali. Tani vetëm për pushime. Udhëton pa telashe, por pa e harruar asnjëherë udhëtimin me gomone.