Mbi 20 milionë janë ndarë për sportin kosovar në vitin 2024, në bazë të marrëveshjeve të realizuara sipas Ligjit për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

Dy klube kanë realizuar të hyra prej më shumë se një milioni euro. 

Bëhet fjalë për klubin e futbollit Prishtina, që ka realizuar të hyra prej 1 milion e 117 mijë e 500 eurosh dhe për klubin e basketbollit Trepça që realizoi të hyra prej 1 milion e 113 mijë eurosh. 

Prej federatave sportive, ajo e futbollit në bazë të marrëveshjeve të sponsorizimit ka përfituar 1 milion e 120 mijë euro. Ndërkohë Federata e Basketbollit ka përfituar 834 mijë euro. Federatat e tjera sportive kanë përfituar ndjeshëm më pak. Asnjë federatë tjetër nuk e ka arritur shifrën e 200 mijë eurove. 

Natyrisht, hise në 20 milionëshin kanë edhe shumë e shumë klube e organizata të tjera sportive. Madje edhe të kategorive të dyta e të treta dhe thuajse të të gjitha sporteve. Disa klube kanë realizuar të hyra thuajse të pabesueshme marrë për bazë nivelin që kanë, organizimin dhe nivelin ku paraqiten. 

Për sport vjet janë lëshuar plot 1557 vërtetime, në bazë të të cilave realizohen marrëveshjet e sponsorizimit. Pra janë plot 1557 marrëveshje të klubeve, federatave e organizatave tjera sportive me kompani të ndryshme. 

Raporti i përgatitur nga komisioni përkatës është i mbushur me gabime e paqartësi. Për shembull një klub është i evidentuar me 5-6 e në raste edhe me më shumë emra. Ka plot raste kur klubet janë të paraqitura me nga dy numra fiskal e anomali të tjera.

Por raporti e bën të qartë që përfitimet për sportin, më saktë për klubet sportive, e në raste për personat në klubet sportive e edhe jashtë tyre, janë shumë të mëdha.

Dhe jo vetëm nga klubet e nivelit më të lartë.

Menjëherë bie në sy një marrëveshje prej plot 350 mijë eurosh e klubit të futbollit Vushtrria. Marrëveshja është e evidentuar për periudhën prej 26 nëntorit 2024 deri më 31 tetor 2025. Pra Vushtrria ka realizuar të hyra prej plot 350 mijë eurosh nga vetëm një marrëveshje. Marrëveshje tjetër të realizuar ka prej 120 mijë eurosh. E ka të evidentuar një marrëveshje sponsorizimi prej 58 mijë eurosh e një tjetër prej 42 mijë eurosh.

Të hyrat e Vushtrrisë prej marrëveshjeve të realizuara gjatë vitit të kaluar janë plot 578 mijë euro.  Vushtrria është klub i Ligës së Parë, përkatësisht i kategorisë së dytë të futbollit kosovar. Është e dyta në Grupin B.

Në kategorinë e dytë garon edhe Vëllaznimi i Gjakovës. Ky klub ka realizuar 41 marrëveshje sponsorizimi vitin e kaluar, sipas evidencës. Dhe në bazë të këtyre marrëveshjeve ka të hyra prej 263 mijë eurosh.

Klubi mitrovicas, Trepça ’89, realizoi të hyra, sipas marrëveshjeve, prej 152 mijë eurosh. 104 mijë euro janë të hyrat e klubit tjetër mitrovicas, Trepça. Edhe këto dy klube luajnë në Ligën e Parë, përkatësisht kategorinë e dytë të futbollit kosovar.

180 mijë euro ka realizuar të hyra në bazë të marrëveshjeve të sponsorizimit, klubi i futbollit Drenica nga Skenderaj. Prishtina e Re, klubi tjetër që e kërkon Superligën, i ka vetëm katër marrëveshje, por me shumën prej 146 mijë eurosh. Njërën marrëveshje e ka prej 100 mijë eurosh. Vjosa e Shtimes ka realizuar nga sponsorizimet 140 mijë euro. Skuadra tjetër e Ligës së Parë, Dinamo e Ferizajt, përfitoi nga sponsorizimet plot 208 mijë e 200 euro. KEK-u ka realizuar 147 mijë euro. 20 mijë euro më shumë  (167 mijë e 862 euro) kishte 2 Korriku i Prishtinës. Klubi pejan Rilindja 1974 vjet kishte marrëveshje për të hyra prej 138 mijë eurosh. 132 mijë e 500 euro ka realizuar të hyra Liria e Prizrenit. KF Mitrovica kishte të hyra prej 54 mijë e 700 eurosh kurse KF Rahoveci prej 75 mijë e 800 eurosh.

Një klub i futbollit i kategorisë së tretë, Shqiponjat, ka realizuar marrëveshje sponsorizimi me vlerë prej 76 mijë e 800 eurosh. Jo pak për një klub të kategorisë së tretë. Ky klub është nga Fushë-Kosova. 

Klubi i futbollisteve Mitrovica ka të evidentuara marrëveshje prej 80 mijë e 700 eurosh.

Në basketboll, klubi i basketbollisteve Prishtina ka realizuar të hyra prej 43 mijë e 200 eurosh. Një klub i evidentuar si Peja AG, ka përfituar plot 103 mijë e 790 euro. Në Federatën e Basketbollit të Kosovës nuk ka klub të evidentuar me këtë emër, përkatësisht të paraqitur në tabelat e ligave. 

Marrëveshje me vlerë prej 168 mijë e 200 eurosh ka klubi i basketbollisteve Penza nga Peja, derisa klubi kampion te basketbollistet, Bashkimi i Prizrenit, kishte marrëveshje për 86 mijë e 500 euro.

Shifra interesante ka edhe në hendboll.

Për shembull klubi i hendbollisteve Samadrexha, sipas marrëveshjeve të prezantuara, ka përfituar nga sponsorizimet plot 187 mijë e 500 euro. 

Klubi ferizajas i hendbollisteve, Kastrioti, përfitoi 132 mijë euro. Klubi i hendbollit të femrave Ferizaj kishte marrëveshje për 63 mijë e 500 euro, ndërsa KHF Istogu për 65 mijë euro. Shqiponja e Gjakovës realizoi sponsorizime prej 51 mijë e 700 eurosh. 

Te hendbollistët, Kastrioti kishte 128 mijë e 800 euro, Besa Famgas 41 mijë, Rahoveci 17 mijë e 500, Vushtrria 80 mijë euro.

Shifra prej 100 mijë eurosh është kaluar edhe në volejboll. KV Peja realizoi të hyra prej 127 mijë e 100 eurosh, KV Ferizaj prej 120 mijë eurosh, Fer Volley prej 95 mijë e 800. Fushë-Kosova nga sponsorizimet ka 76 mijë e 500 euro, KV Gjinoci 29 mijë, Theranda Hidroterm 29 mijë, KV Kastrioti 42 mijë, KV Drita 27 mijë, Skenderbeu 22 mijë,  KVF Drita 65 mijë. 

Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit vlerësohet shumë i favorshëm. Dhe prej këtij ligji ka klube e federata që përfitojnë vazhdimisht shuma të mëdha parash. Ka pasur dhe ka dyshime që një pjesë e parave keqpërdoret, përkatësisht nuk përfundon te sportisti kosovar. Në mars të vitit të kaluar, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte paraqitur vërejtje të shumta lidhur me ligjin për sponsorizime. Auditori kishte konkluduar se aktivitetet e sponsorizuara nuk i arrijnë qëllimet e tyre dhe nuk realizohen si duhet. Sipas auditorit, ka munguar edhe mbikëqyrja dhe monitorimi i proceseve të sponsorizimit nga ana e MKR-së dhe ATK-së, ndonëse këtë e kërkon ligji.

Auditori tha që ka mungesë të dëshmive që milionat e ndara për sportin në bazë të këtij ligji, kanë përmirësuar cilësinë e sportit në Kosovë.

Gjatë vitit 2023, në bazë të këtij ligji për sport ishin ndarë 15 milionë euro. Katër klube kishin përfituar mbi 1 milion euro, KB Peja, KB Trepça, KB Sigal Prishtina dhe KF Ballkani. Tani janë dy klube “milionëshe” dhe shumë të tjera që i afrohen kësaj shifre.