Ishte 21 shtatori dhe ndeshja klasike mes Baselit e Zurichut, para 36 mijë shikuesve. Kur nisi koha shtesë, Bekim Zogaj, ishte në gjendje të lirohej për herë të parë.
“I thashë vetes, tani shijo minutat e fundit”.
Ishte një javë para ditëlindjes së 45-të të tij dhe Zogaj e dinte se po shijonte minutat e fundit në nivelin e lartë të futbollit. Pas 15 vjetësh si arbitër anësor në nivelin më të lartë, karriera e tij do të përfundonte së shpejti. Pas paraqitjeve në Superligën e Zvicrës apo në Ligën e Kampionëve, dhe së fundi në Kampionatin Evropian në Gjermani, ai thotë se ishte i lumtur për secilën ndeshje, pavarësisht se ku luhej, kur, apo se kush ka luajtur.
Me fishkëllimën e fundit në “St. Jakob-Park”, karriera e tij aktive përfundoi. Pak më herët se që ishte obligative, pasi Zogaj ka mundur të jetë aktiv deri në fund të vitit kalendarik. Zogaj, që është i lindur në Winterthur, është në paqe me veten. Të dy klubet, Baseli dhe Zurichu, i dhanë fanella si dhuratë.
“Kjo nuk është diçka e garantuar”, thotë ai.
Gjithsesi nuk ishte largim që u bë plotësisht vullnetarisht. Për Zogajn, kufiri i moshës do të thoshte që në fund të vitit t’i jepte fund karrierës. Me 45 vjet. Gjermani Felix Brych ende drejton ndeshje në moshën 49-vjeçare. Italiani Daniele Orsato ka drejtuar ndeshje në Evropian në moshën 48-vjeçare.
Në Zvicër, rregullat janë strikte: gjyqtari në nivelin më të lartë mund të jetë 45-vjeçar, jo më i vjetër.
Zogaj do të dëshironte të vazhdonte. Ai e do shumë punën si refer. Por nuk është i frustruar. Në njërën anë ai i di rregullat nacionale, e në anën tjetër ai ka sfida interesante para: në të ardhmen do të jetë zëvendës i shefit të referëve, Daniel Wermelinger dhe do të jetë udhëheqës i arbitrave anësorë, pos punës së rregullt në inxhinierinë civile në Winterthur.
Jo të gjithë e kuptojnë që arbitrat duhet të pensionohen në kohën kur për shkak të moshës dhe personalitetit më të matur, kanë më shumë autoritet dhe përvojë se më parë. Zogaj e kupton këtë. Por ai ka kujtime të mira.
Ai dëshiron ta kujtojë të kaluarën. Ndeshjen e parë në Champions, për shembull, në vitin 2020, Barcelona kundër Ferencvaroshit. Por ka edhe momente negative. Një sidomos.
Ai njëherë asistoi Sascha Ahhofin në Bundesligën e Austrisë, si pjesë e një shkëmbimi të gjyqtarëve. Dhe nuk harron që goli i fitores së Altachut ndaj Grodigut në kohën shtesë u shënua nga pozitë jashtë loje.
“Ishte vetëm një gisht i këmbës në ofsajd. Por fotografia e Amhofit ishte në media për një javë. Isha shumë keq sa i takon ndërgjegjes”, thotë Zogaj.
Është një tjetër arsye pse ai e çmon VAR-in.
“Të jem i sinqertë, fle më mirë. Ndonëse gabime bëhen ende, VAR-i e bën futbollin më të drejtë”.
Qëllimi i Zogajt është të ushtrojë asistent-gjyqtarët, për të cilët do të jetë përgjegjës në të ardhmen. Ai synon që ata të jenë gjyqtarë me kurajë, me vetëbesim.
“Vendimet duhet të merren sikur të mos ketë VAR”, thotë Zogaj. Ai synon të rrisë ndjeshmërinë e gjyqtarëve.
“Keni nevojë për këtë si arbitër kryesor dhe si asistent. Duhet edhe humanizëm. Kjo është arsyeja pse kam kaluar mirë pothuajse me të gjithë, lojtarë apo trajnerë”.
Ai është mësuar të jetojë me kritikat me të cilat përballet secili gjyqtar i futbollit e po ashtu me kërcënime me vdekje.
“Kur fillova unë, rrjetet sociale nuk ishin çështje. Sot janë shumë të pranishme. Kjo nënkupton se frenimi është më i ulët dhe zgjedhja e fjalëve po bëhet gjithnjë e më diskutabile. Por për shumicën e kohës gjyqtarët janë të respektuar”, thotë Zogaj.
Si 17-vjeçar ai luajti në klubin Wiesendangen. Drejtoi ndeshjet fillimisht si refer kryesor dhe më pas u fokusua në karrierën si asistent, ku arriti në nivel ndërkombëtar.