Për shkak të rezultateve të dobëta në stinorin vjeshtor, skuadra e Llapit më 22 dhjetor njoftoi për largimin e ndihmëstrajnerit Burim Shala, trajnerit kondicional Arsim Tërshani dhe trajnerit të portierëve, Diamant Kadriolli.
Në mesin e largimeve nuk ishte përfshirë kryetrajneri Tahir Batatina.
Trajneri Batatina do të vazhdojë ta udhëheqë Llapin sërish, ndërsa për ndihmës të parë do ta ketë Sunaj Keçin. Asistent i dytë do të jetë Mehmet Agushi, video-analist është përzgjedhur Besnik Rexhepi, kurse Bekim Mulliqi do të jetë trajner i portierëve.
“Kryetrajneri i skuadrës, Tahir Batatina, bashkë me stafin ndihmës, ka filluar prej ditës së djeshme përgatitjet për edicionin pranveror, duke u fokusuar në ngritjen e formës së ekipit para sfidave që na presin. Me punë profesionale dhe angazhim maksimal, skuadra synon të rikthehet tek fitoret dhe objektivat e vendosura për sezonin që vijon”, shkruan në njoftimin e Llapit në Facebook.
Pjesën e parë të edicionit aktual, Llapi e mbylli në pozitën e nëntë, përkatësisht të parafundit, me 18 pikë, tetë më shumë se Feronikeli 74 që është i fundit në tabelë.
Llapi në Superligë nuk ka fituar që prej 27 shtatorit. Ka 11 ndeshje rresht pa fitore, me pesë barazime e gjashtë humbje.