Ipswichi nuk e ka ruajtur epërsinë që e krijoi dy herë dhe ka marrë vetëm një pikë nga udhëtimi te Fulhami, në ndeshjen ku u shënuan tri penallti. 

Të dielën në kuadër të xhiros së 20-të të Premier Leagues angleze, Ipswichi barazoi në udhëtim 2:2.

Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, për ndeshjen e dytë rresht është lënë në bankën rezervë tek Ipswichi, ndonëse për gjithë edicionin ishte i padiskutueshëm në formacionin titullar.

Sammie Szmodics në minutën e 38-të i kaloi mysafirët në epërsi, ndërsa shifrat në 1:1 i barazoi Raul Jimenez, në minutën e 69-të.

Nga penalltia, njësoj si Jimenez, shënoi edhe Liam Delap i Ipswichit.

Jimenez ishte i saktë edhe një herë tjetër nga 11 metra në minutën e 91-të dhe e vendosi rezultatin përfundimtar, 2:2.

Ipswichi vazhdon luftën e madhe për mbetje në elitë.

Aktualisht ka 16 pikë në vendin e 18-të, që nuk e siguron mbijetesën.

Ndërkohë, Fulhami ka 30 pikë në vendin e nëntë.