Ndonëse e goditur nga humbja turpëruese, 3:0, nga një skuadër e kategorisë së katërt spanjolle, Mallorca ka udhëtuar me optimizëm të martën për në Arabi Saudite ku shpreson ta fitojë trofeun e Superkupës së Spanjës në futboll.

Më 3 janar, Mallorca humbi 3:0 nga Pontevedra në 1/16  e finales së Kupës së Mbretit. Menjëherë të enjten nga ora 20:00 luan me Real Madridin në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës.

Që nga viti 2020, me një përjashtim, Superkupa e Spanjës luhet në Arabi Saudite. Natyrisht, për shkak të fitimeve më të mëdha financiare. Prej atij viti është përfshirë edhe faza gjysmëfinale dhe nga kjo përfiton edhe Mallorca, ku njëri prej lojtarëve kryesorë është sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.

Mallorca paraqitet në turneun e Superkupës si finaliste e Kupës së Spanjës në edicionin e kaluar. Përballë në gjysmëfinale do ta ketë Real Madridin, kampionin në fuqi të Spanjës. Natyrisht, Mallorca është autsajdere në ndeshjen që zhvillohet të enjten në “King Abdullah Sports City” në Jeddah të Arabisë Saudite.

Në gjysmëfinalen e parë, të mërkurën nga ora 20:00, takohen Athletic Bilbao e Barcelona. Athletic Bilbao paraqitet si fitues në fuqi i Kupës së Spanjës, ndërsa Barcelona si nënkampione e La Ligas. Barça është favorite e madhe.

“Turneu, që zhvillohet jashtë Spanjës tash e disa vjet, me formatin e dy gjysmëfinaleve dhe finales, nuk është pa kundërthënie. Së pari për shkak të vendit ku luhet, që ua pamundëson shumë tifozëve që të shohin ndeshjet nga afër. Dhe së dyti, për shkak të ndarjes jo të barabartë të parave, nga e cila përfitojnë dy klubet e mëdha”, ka shkruar “Diario de Mallorca”.

Mallorca për herë të tretë paraqitet në Superkupë. Në vitin 2003 humbi nga Real Madridi. Në vitin 1998 kishte fituar 3:1 pas dy ndeshjeve me Barcelonën. Mallorca e kishte fituar Kupën e Spanjës në vitin 2003, kështu që është në kërkim të trofeut të tretë në histori. Triumfi në Superkupë do të ishte sukses i jashtëzakonshëm për skuadrën e Muriqit.

Dhe shumë do të varet nga sulmuesi kosovar. Ai është lojtari kryesor ofanziv i Mallorcas. Loja sulmuese e skuadrës shkon përmes Muriqit.

Pritet që iniciativa në ndeshje të jetë e skuadrës madrilene, të mbushur me yje si Vinicius Junior, Kylian Mbappe e Jude Bellingma. Madridi është në formë të mirë dhe rezultatet e saj po përmirësohen vazhdimisht, pas ndryshimeve të bëra në verë. Në ndeshje nuk do të ketë shumë raste për Mallorcan, por tifozët e kësaj skuadre presin që Muriqi me shokë të konkretizojnë secilën mundësi të ofruar.

“Jemi dy ndeshje larg që ta fitojmë trofeun. E dimë që do të jetë vështirë, por shkojmë për të fituar atë”, ka thënë mesfushori Sergi Darder.

“E kemi parë në Kupë të Mbretit. Ka më shumë diferencë mes Pontevedras dhe Mallorcas se mes nesh e Madridit. Nëse ka mundur të na mposhtë Pontevedra, ne mund ta mposhtim secilën skuadër. Në ligë ishim afër që t’i mposhtim madrilenët, jemi shumë të uritur dhe të entuziazmuar. Ekipi është shumë i vetëdijshëm për mundësinë. Nëse jemi në nivelin tonë, mund të garojmë me secilin rival”, ka shtuar Darder.

Mallorca ka udhëtuar për në Arabi Saudite me një aeroplan që tani mban emrin e këtij klubi, RCD Mallorca. Në delegacion ishin rreth 300 anëtarë, duke përfshirë 70 tifozë.

Federata spanjolle i përfiton rreth 40 milionë euro për çdo edicion të Superkupës në Arabi Saudite. Gjysma e parave u takon klubeve pjesëmarrëse. Ndërkohë 4 milionë i fiton kompania “Kosmos” që drejtohet nga Gerard Pique dhe merret me organizimin.

Prej parave që u takojnë klubeve pjesëmarrëse, Real Madridi e Barcelona përfitojnë nga të paktën 6 milionë euro, ndërsa dy klubet e tjera dukshëm më pak.

Barcelona është ekipi më i suksesshëm në Superkupën e Spanjës me 14 trofe. Real Madridi ka 13 trofe të Superkupës, të fundit vitin e kaluar. Athletic Bilbao ka tre trofe të Superkupës.

Ndërkohë Vedat Muriqi e kërkon trofeun e parë të rëndësishëm në karrierë.