Napoli ka dalë në vendin e parë të elitës së futbollit italian pas fitores ndaj Fiorentinas.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Antonio Conte të shtunën në mbrëmje në udhëtim fitoi ndaj Fiorentinas me rezultatin e thellë 3:0.

Kjo ndeshje i takoi javës së 19-të të Serie A.

Një gol u shënua në pjesën e parë kurse dy të tjerë në pjesën e dytë.

David Neres në minutën e 29-të realizoi për 1:0.

Romelu Lukaku ishte i saktë nga pika e bardhë për 2:0.

Goli i tretë e që ishte edhe i fundit në ndeshje u shënua nga Scott McTominay.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, e kompletoi ndeshjen te mysafirët.

Fiorentinas iu anulua një gol në minutën e 35-të për shkak të prekjes me dorë të sulmuesit italian, Moise Kean.

Napoli pas 19 ndeshjeve ka 44 pikë.

Atalanta ka tri pikë më pak dhe është në vendin e dytë.

Por Atalanta këtë fundjavë nuk luan ndeshje kampionale për shkak të angazhimeve që i pati në Superkupën e Italisë, që po zhvillohet në Arabinë Saudite.

Atalanta u mposht në gjysmëfinale me rezultatin 2:0 nga Interi.