Me nëntë gola në Premier League që nga fillimi i dhjetorit, Alexander Isak po e udhëheq sulmin e Newcastle Unitedit të ringjallur, ndërsa skuadra po forcohet gjithnjë e më shumë në garën për kualifikim në Ligën e Kampionëve.
Mungesa e vazhdimësisë dhe telashet në sulm e vënë në dyshim drejtimin që mori skuadra nga “St James’ Park”. Por gjashtë fitore radhazi në të gjitha garat dhe kthimi në formë i 25-vjeçarit të Suedisë sollën shpresë te tifozët e Newcastlet.
Isaku ka pasur udhëtim të veçantë dhe tashmë po vlerësohet shumë lart në Angli. Ai gjithmonë është përballur me presion për shkak të potencialit të madh. Si 16-vjeçar u bë golashënuesi më i ri në historinë e ligës me AIK-un suedez. Shpejt u kërkua nga skuadra të mëdha evropiane.
Pasuan krahasime me Zlatan Ibrahimoviqin, por vështirë se këta dy do të mund të kishin karakteristika më të ndryshme.
Ibra është i njohur si personazh i guximshëm dhe i udhëhequr nga egoja. Këtë nuk e ka Isaku. Ai është i lindur në Stokholm, nga prindër nga Eritrea. U rrit i tërhequr dhe u bë lojtari rreth të cilit Newcastle synon ta ndërtojë projektin e tij.
Shpesh është krahasuar me legjendën e Arsenalit, francezin Thierrry henry. Është i shkëlqyer me top, inteligjent për të lëvizur brenda në zonë dhe për të dalë jashtë. Gjitha këto i bënë pa ndonjë mund të tepruar.
Në vitin 2017 Isaku u transferua te Borussia Dortmundi, një klub i njohur për zhvillimin e talenteve të mëdha. Por për ndryshim nga Jadon Sancho, Jude Bellingham e Erling Haaland, jeta në Gjermani nuk funksionoi për Isakun. Trajnerët pranuan nivelin e tij, por ndrojtja e lojtarit e pengoi atë të zhvillohet.
Trajneri i atëhershëm i rezervave të Dortmundit, Jan Siewert, e ndihmoi të kthente karrierën në rrugën e duhur. Ia tregoi sulmuesit të ri dy fotografi, njërën në bankën rezervë te Dortmundi dhe një tjetër ku ai shihej i buzëqeshur pasi kishte shënuar për Suedinë. Siewarti e pyeti Isakun se cili ishte ndryshimi. Bëhej fjalë për besimin. Pasi foli për mungesën e besimit, Isak filloi të ndihej më rehat.
Nisi të kthehej gjatë huazimit te Willem II në Holandë, ku i shënoi 13 gola në 16 ndeshje. Por, vetëm pasi kaloi te Real Sociedadi doli në nivel më të lartë.
Ai nuk kishte profil ylli, por talentin e kishte të madh. Duke mos harruar se nga vinte, ai kontaktoi mësuesin e spanjishtes nga koha e shkollimit në Suedi dhe e falënderoi që e ndihmoi të kuptonte gjuhën. Ata përfunduan duke kujtuar një udhëtim me klasë për në Barcelonë.
Pasi u vendos në San Sebastian, Isak shënoi 17 gola në edicionin e dytë, duke lënë përshtypje edhe me Suedinë në Euro 2020. Ndonëse nuk shënoi, performanca e tij në fazën grupore dëshmoi se pse ishte shumë i lakmuar. Ndihmoi Suedinë të fitonte 1:0 ndaj Sllovakisë.
I shënoi vetëm gjashtë gola në 32 ndeshje në edicionin 2021/2022 dhe kjo përforcoi idenë që ai nuk ishte gati për një klub elitar për tarifën që kërkohej prej mbi 60 milionë euro. Newcastle fillimisht u largua nga negociatat, por lëndimi i Callum Wilson bëri që në klub ta ndryshojnë mendjen. Newcastle theu rekordin e klubit për ta transferuar suedezin në gusht të vitit 2022.
Në edicionin e parë i kishte dhjetë gola në 22 paraqitje kampionale. Më pas e rriti shifrën në 21 gola në 30 paraqitje kampionale. Aktualisht i ka 13 gola e katër asistime në 18 paraqitje në Premier League. Dhe e ardhmja e tij duket e ndritur. Bashkë me Isakun edhe e Newcastlet.