Qendërmbrojtësi dhe kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka thënë se është shumë i dëshpëruar që ndeshja ndërmjet Liverpoolit dhe Manchester Unitedit u mbyll baras, 2:2.

Van Dijk ka theksuar se është dashur që të shfrytëzohen shanset, por po ashtu ka nënvizuar se ekipi i tij ka mundur lehtë ta humb gjithë ndeshjen në fund.

“Do të mund të ishte edhe më keq nëse do të ishim të sinqertë me veten. Ata kishin shans të jashtëzakonshëm në fund dhe do të ishte shumë më keq se që është. Jam padyshim shumë i dëshpëruar që kemi lëshuar pikë në shtëpi, por ky është rezultati dhe duhet të shikojmë para. Ne kishim epërsi 2:1 dhe është dashur ta mbanim topin më gjatë sesa pas tre apo katër pasimeve. E kemi humbur topin shumë shpejtë në disa raste dhe ishim më të hapur sesa që duhej të ishim. Nuk jemi të përkryer. Ende jemi duke mësuar dhe duhet të mësojmë edhe nga kjo ndeshje po ashtu”, ka deklaruar Van Dijk për “BBC Radio 5”.

Van Dijk ka thënë se nuk e kanë nënvlerësuar Manchester Unitedin, që nuk ka pasur ecuri të mirë të rezultateve.

“Kjo është vetëm për media. Mediat flasin. Nuk ka asgjë të bëj me ne. Ne përgatitemi për ndeshje të vështira si kjo e sotmja. Nuk kemi menduar për atë pjesë fare. Ne tani e shikojmë ndeshjen e radhës dhe nuk e shikojmë tabelën”, është shprehur Van Dijk.