Ata që i thanë të hiqte dorë nga ëndrra, kanë bërë gabim.
Ajo që Sara Bulliqi nuk ka bërë, është ta ndalë në gjysmë ëndrrën.
15-vjeçarja nga Prishtina është aty ku ka dashur gjithmonë të jetë – në fushën e futbollit.
“Më është thënë se nuk mund të luaj për shkak dorës, sepse kanë pasur frikë se mund të lëndohem apo mund të jem rrezik për lojtaret tjera”, thotë Sara, futbollistja e ekipit U17 të 2 Korrikut të Prishtinës.
Sara dhe prindërit e saj kurrë nuk i dëgjuan skeptikët.
“Ka qenë një pjesë që kanë thënë të ndalem dhe të mos vazhdoj më se ndoshta nuk mund të luaj. Por përkrahësit më të mëdhenj i kam prindërit. Janë shtylla më e fortë e imja dhe me insistimin e tyre kanë arritur që ta kem të mundur të luaj futboll. Kanë gjetur zgjidhjen me doktorët që unë të luaj. Kanë ardhur në përfundim që nëse unë heqë protezën gjatë lojës, unë mund të luaj”, thekson ajo.
Sarën asnjë pengesë nuk e largon nga synimi për të luajtur me top.
15-vjeçarja është e lindur pa një pjesë të krahut të djathtë. Megjithatë është prej lojtareve kryesore të skuadrës U17 të 2 Korrikut, kampiones së vjeshtës.
Është e rregullt në njëmbëdhjetëshen startuese. Vetëm gjatë ndeshjeve kampionale, Sara e heq protezën nga dora e djathtë.
Është e vetmja lojtare pa një pjesë të trupit që është përfshirë në garat për futbolliste në Kosovë.
Merita që Sara vazhdon të merret me sportin e dashur të fëmijërisë ka edhe Sadat Limani. Menaxher në një prej shkollave më të mira të futbollit në Kosovë, 2 Korrikut, Limani tregon procedurat që ka ndjekur për t’ia bërë të mundur Sarës paraqitjen në gara.
“E kam hulumtuar dokumentacionin e UEFA-s se çfarë lojtaresh lejohen në grupmoshën U17. E kam parë edhe Statutin e FFK-së. Në bazë të atij dokumenti dhe po ashtu edhe Statutit të Federatës kam parë se a lejohen lojtare si rasti i Sarës. Kam konsultuar të gjitha dokumentet dhe kam pyetur Federatën se sa është e mundur të përfshihet në kampionatin tonë në edicionin 2022/2023. Kam marrë përgjigje”, tregon ai.
Ëndrrën e madhe për të përfaqësuar Kosovën – ashtu si shumë të reja e të rinj, Sara dëshiron ta bëjë realitet në një të ardhme shumë të afërt. Por për të e rëndësishme është të vazhdojë të luajë.
“Synimin thjesht e kam pasur të arrij diçka. Kur kam filluar me futboll më kanë treguar se jam vajza e parë pa një dorë. Dhe synimin ia kam vendosur vetes të mos jem kurrë e fundit, që dua të arrij të përfaqësoj Kosovën dhe ndoshta një ditë të dalë jashtë shtetit”, thotë futbollistja me rrëfim frymëzues.
Karakteri i fortë e ka ndihmuar të vazhdojë para dhe të synojë edhe më lart.
“Sara është shumë e rëndësishme për ekipin tonë, është me karakter shumë të fortë. Ajo është një shtyllë e ekipit pasi di të organizoj atmosferën në grup”, thotë trajnerja Florentina Kallaba.
Sara tregon se edhe nëna e saj ka luajtur futboll në moshë të re. Fillimi për vajzën e re ishte goxha sfidues. Ajo u është mirënjohëse vajzave tjera dhe gjithë stafit të 2 Korrikut.
“Kur kam filluar me futboll nuk ka pasur ekip të vajzave. Nuk jam ndier mirë të luaj më djemtë. Por kur kuptova se 2 Korriku ka krijuar ekipin e vajzave, kam filluar. Ka qenë fillimi stresues, por mikpritja e vajzave dhe të gjithëve në klub më kanë bërë të ndihem rehat dhe thjesht kam vazhduar”, është shprehur ajo.
Te 2 Korriku, klubi i njohur për punë me kategori të reja e çmojnë. Menaxheri Limani thotë se Sara është shembull në të gjitha aspektet. Ai vlerëson faktin se futbollistja nuk dorëzohet e nuk ndalet pavarësisht rezultatit.
Gjatë bisedës, Sara përmend vazhdimisht prindërit. Në këtë mënyrë shpreh mirënjohjen për ta.
“Për të arritur të siguroj vendin në ekipin e parë, është dashur të punoj shumë. Ka qenë motivuese për mua. Më ka dhënë shtysë për të vazhduar. Por puna që kam bërë duke mos munguar në asnjë stërvitje, më ka ndihmuar shumë që ndoshta edhe të dallohem më shumë në fushë. Motivin më të madh e kam në tribunë, te babai im. Ai më jep një shtytë të madhe për t’u përmirësuar gjithnjë e më shumë”, është shprehur Bulliqi.
Babai i Sarës nuk pranoi të flasë para kamerave. Por shihet qartë se është shumë krenar me të.
Gjatë stërvitjes, futbollistja e re ishte aktive. Merr përgjegjësi në fushë. Luan mbrojtëse e krahut. Shënon edhe gola.
“Vajzat ma japin mbështetjen më të madhe, si në lojë, ushtrime dhe gjithandej. Kam një lidhje shumë të fortë, që besoj se nuk do ta kem në të ardhmen me askënd tjetër. Normal, unë kam dëshirë të arrij së bashku suksese dhe ato t’i shoh sa më lart. Ne kemi bërë një hap të madh duke marrë pjesë në një turne ndërkombëtar në Kroaci. Kemi dalë nënkampion dhe ndoshta nuk do të mundem asnjëherë ta përshkruaj me fjalë se ka qenë hera e parë dhe nuk dua të jetë e fundit. Dua të jem bashkë me vajzat duke përfaqësuar Kosovën dhe duke arritur suksese të mëdha”.
Lojtarja e saj e pëlqyer është Kosovare Asllani. Carson Pickett, futbollistja 31-vjeçare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është inspirim për të. Ajo po ashtu nuk e ka njërin krah.
“Lojtarja e parë ka qenë Kosovare Asllani. Ajo ka arritur të bëj histori si futbolliste shqiptare, por me kalimin e kohës është edhe një lojtare që nuk e ka dorën, si rasti im dhe ka arritur majat e futbollit të femrave dhe ma ka dhënë një dëshirë, pasion më të madh për të arritur të ndjek ëndrrën dhe realizimin e synimeve që fillimisht nuk i kam pasur. Por pasi kam parë atë, më janë rritur”, thotë Sara Bulliqi.
Pickett frymëzon shumë të rinj e të reja nëpër botë. Me përkushtimin e saj, inspirim e shembull për të tjerët është edhe Sara.