Astrit Selmani po kalon formë shumë të mirë me Dinamo Bukureshtin dhe është lojtari me më së shumti gola te ky ekip.

Selmani 27-vjeçar i ka shënuar nëntë gola dhe ka dhuruar pesë asistime në 24 paraqitje në të gjitha garat me klubin rumun.

Te Dinamo Bukureshti dëshirojnë që sulmuesin e Kosovës ta mbajnë në skuadër dhe janë në rrugë të mirë për ta nënshkruar kontratën e re.

“Kemi bërë progres. Po diskutojmë për detajet. Shanset janë që ai të mbetet në skuadër. Kemi bisedime pozitive. I kemi ofruar kontratë dyvjeçare”, ka deklaruar presidenti i ri i Dinamos, Andrei Nicolescu, shkruan “Fanatik.ro”.

 Ndërkohë, sulmuesi i Kosovës ka thënë se nuk dëshiron të luajë për ndonjë klub tjetër në Rumani, përpos Dinamos së Bukureshtit.

“Nëse nuk luaj për Dinamon, nuk do të luaj për ndonjë ekip tjetër në Rumani. Dinamo është pasion për mua. Pasion i tifozëve”, ka thënë Selmani për “GSP.ro” të premten.